Më 02 korrik 2019, Akademia e Drejtësisë në kuadër të PTV-së organizoj trajnimin me temë: “Ligji për shoqëritë tregtare”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me zbatimin efikas të Ligjit për shoqëritë tregtare.
Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan: qëllimet kryesore të ligjit dhe fushëveprimi i tij, mënyrat e themelimit dhe shuarjes së shoqërive tregtare si dhe pasojat juridike që krijojnë. Në pjesën e dytë u trajtuan: mënyrat e organizimit, struktura e kapitalit, dhe të drejtat dhe detyrimet e pronarëve, zyrtarëve të shoqërive tregtare, përfaqësuesve të tyre dhe personave të tretë si dhe procedurat ligjore dhe aplikimi i tyre në mbrojtjen e të drejtave që rrjedhin nga shoqëritë tregtare.
Me rastin e këtij trajnimi u potencua se shoqëritë tregtare janë bartës të zhvillimit ekonomik në vendet me ekonomi të tregut. Lidhur me këtë Republika e Kosovës ka ndërmarrë masa të ndryshme për të siguruar infrastrukturën e nevojshme për krijim e parakushteve për zhvillimin e biznesit duke miratuar Ligjin për shoqëritë tregtare i cili përbën një bazament të mirë për krijimin e një ekonomie të tregut dhe mundësimin e investime të huaja në Kosovë. Ky ligj përcakton llojet e shoqërive tregtare, kushtet e regjistrimit, themelimin dhe shuarjen e shoqërive, të drejtat dhe detyrimet e pronarëve, zyrtarëve të shoqërive tregtare, përfaqësuesve të tyre.
Në vazhdim u theksua se në praktikën gjyqësore numri i kontesteve që rrjedhin nga veprimtaria afariste e shoqërive tregtare është i konsiderueshëm, me tendencë të rritjes dhe përkundër përkundër miratimit të legjislacionit adekuat, implementimi i këtij legjislacionit në fuqi për këtë lëmi paraqet sfidë, si për ndërmarrjet dhe afaristët, ashtu edhe për praktikuesit e profesioneve juridike dhe sistemin gjyqësor. Në vazhdën e këtyre përpjekjeve të vazhdueshme, në Kosovë tanimë aplikohen një sërë ligjesh tregtare dhe ekonomike.
Përveç kornizës ligjore vendore u vunë në pah edhe korniza ligjore ndërkombëtare në këtë fushë siç janë: Konventa e Kombeve të Bashkuara mbi Kontratat për Shitjen Ndërkombëtare të Mallrave (CISG), Konventa e Nju Yorkut e vitit 1958 për Njohjen dhe Zbatimin e Vendimeve të Huaja të Arbitrazhit, Konventa e Parisit për mbrojtjen e pronësisë industriale (20 mars 1883)- organizata botërore e pronësisë industriale, Marrëveshja TRIPS (organizata botërore e tregtisë) si dhe instrumente tjera ndërkombëtare.
Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit të pjesshëm teorik, duke u bazuar në raste nga praktika gjyqësore duke u shoqëruar me ushtrime, diskutime interaktive, materialit të ofruar nga trajnuesit, analizës së rasteve studimore si dhe duke zbërthyer dispozitat ligjore në fuqi që rregullojnë këtë lëmi.
Përfitues në këtë trajnim ishin: gjyqtarët nga Departamenti për Çështje Ekonomike i Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit.
02-07-2019