Më 09 Tetor 2019, në kuadër të trajnimit praktik me institucionet jo gjyqësore gjyqtarët dhe prokurorët e sapoemëruar të cilët janë duke vijuar trajnimin fillestar, kanë realizuar një trajnim në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Qëllimi i këtij takimi ishte njoftimi me zhvillimet dhe funksionet e privatizimit të subjekteve të AKP-së, rolin e Agjencisë në procesin e privatizimit, ku me theks të veçantë u trajtuan edhe verifikimi dhe shpallja e fituesit të përkohshëm, aprovimi dhe refuzimi i ofertës, dhe informata të përgjithshme për procesin e privatizimit dhe likuidimit në Kosovë.
Gjithashtu gjatë trajnimit, janë trajtuar dhe analizuar në mënyrë të përgjithshme problemet aktuale në praktikë, duke njohur dhe kuptuar më mirë rolin e Agjencisë në procesin e privatizimit në Kosovë dhe zbatimin e drejtë të procedurave për privatizimin e subjekteve.
Trajnimi u zhvillua edhe në formë interaktive, me ç‘rast gjyqtarët dhe prokurorët e sapoemëruar kishin mundësinë të diskutojnë çështje me interes me të cilat ata mund të ballafaqohen në praktikën e tyre me lëndët e kësaj natyre.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e sapo emëruar, gjenerata e VII-të dhe prokurorët e sapoemëruar, gjenerata e VIII e PTF-së.
09-10-2019