Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

18-09-2008

Ceremonia Solemne e Fillimit të Programit Fillestar për Arsimim Ligjor

Me datën 18 shtator 2008 Instituti Gjyqësor i Kosovës organizoj ceremoninë solemne e cila shënoj fillimin e Programit Fillestar për Arsimim Ligjor. Instituti Gjyqësor i Kosovës përmes këtij programi do të përgatitë gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm të Kosovës. Me këtë rast, mbështetur nga UNDP-ja u publikua Plani Strategjik për periudhën 2008/2011 dhe publikimi i ueb- faqes së re të Institutit Gjyqësor të Kosovës.

Kjo ceremoni u nderua edhe nga, Presidenti i Republikës së Kosovës Z. Fatmir Sejdiu si dhe personalitete të tjera shtetërore të Republikës së Kosovës, udhëheqës të institucioneve gjyqësore, përfaqësues të mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë që mbështesin sistemin gjyqësor dhe përfaqësues nga qendrat regjionale të trajnimit gjyqësor.  

Në hapje të ceremonisë, drejtori i Institutit Gjyqësor të Kosovës, theksoj se për të arritur në një ditë historike si sot Instituti Gjyqësor i Kosovës kaloj një rrugë të gjatë, të vështirë dhe me plot sfida. Rrugëtimi i Institutit Gjyqësor të Kosovës filloj në vitin 2000 kur u themelua nga misioni i OSBE-së në Kosovë si institucion për trajnim të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vazhdoi në vitin 2006 kur me Ligj të miratuar nga Kuvendi i Kosovës u bë institucion publik, i pavarur, profesional dhe përgjegjës për trajnim të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Kosovës. Ndërsa sot po fillon një fazë e re në zhvillimet e Institutit Gjyqësor dhe Sistemin Gjyqësor.

Në emër të Institutit Gjyqësor të Kosovës, Prof. Dr. Vesel Latifi, Kryetar i Këshillit Drejtues të IGJK-së u dëshiroj mirëseardhje të gjithë pjesëmarrësve, me ç’rast theksoj se ky solemnitet është fillimi i njërit nga programet më të rëndësishme ligjore të Institutit Gjyqësor të Kosovës. Në mes të tjerash ai falënderoj OSBE-në-Misionin në Kosovë, UNDP-në, USAID-in, Këshillin e Evropës dhe të gjithë donatorët që ndihmuan dhe do ta ndihmojnë Institutin Gjyqësor të Kosovës. Në përfundim të fjalës së tij z. Latifi tha se ”Para nesh janë të shumta sfidat për ngritjen profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve në mënyrë që të sigurohet sundimi i ligjit dhe të garantohet një jetë më e mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”.

Shenjë e përkrahjes për IGJK-së në këtë solemnitet ishte edhe pjesëmarrja e Presidentit të Republikës së Kosovës, Z. Fatmir Sejdiu, i cili në fjalimin e tij ndër të tjera veçoj se sundimi i ligjit paraqet një ndër sfidat kryesore për institucionet e Republikës së Kosovës dhe kjo sfidë mund të tejkalohet vetëm nëpërmjet një sistemi gjyqësor dhe prokurorial të pavarur, të paanshëm, efektiv dhe të përgatitur në mënyrë superiore. Përveç kësaj, Z. Sejdiu theksoi se pavarësisht nga puna e mirëfilltë, vazhdimi i reformave në sistemin gjyqësor është i domosdoshëm dhe një ndër hapat konkret është edhe arsimimi adekuat i gjyqtarëve dhe prokurorëve.  Programi Fillestar për Arsimim Ligjor dhe Programi i Vazhdueshëm për Arsimim Ligjor janë dy projekte-bazamente të Institutit Gjyqësor të Kosovës për avancimin e kualitetit të gjyqësorit dhe prokurorisë kosovare. 

Edhe Zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë Z. Arsim Janova, potencoi se prioritet i veçantë i kësaj ministrie është reformimi i sistemit të drejtësisë si një domosdoshmëri e kohës kur Kosova synon arritjen e standardeve evropiane me një sistem efikas dhe të besueshëm të gjyqësisë.

Z. Rexhep Haxhimusa, kryetar i Gjykatës Supreme dhe i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në fjalën e tij theksoj se Instituti Gjyqësor i Kosovës, si pjesë e sistemit të drejtësisë, po kryen me sukses të plotë rolin e vet të pazëvendësueshëm në përgatitjen dhe perfeksionimin e kuadrove për gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës. Veç kësaj Z. Haxhimusa tha se “duke i ndjekur trajnimet speciale në fushat kryesore të drejtësisë, kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë do të avancojnë formimin e tyre profesional dhe do të jenë të gatshëm të japin kontribut të çmuar në sigurimin e sundimit të ligjit në shoqërinë tonë”.

Edhe pjesëmarrësit  tjerë në këtë ceremoni si, përfaqësues të UNDP-së, USAID-it, OSBE-së-Misioni në Kosovë, vlerësuan se ky program shënon fillimin e një mënyre të re të rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët paraprakisht do të përgatiten në Institutin Gjyqësor të Kosovës. Përfaqësuesit e përmendur premtuan se në këto përpjekje IGJK-ja nuk do të jetë vetëm, por do të ketë përkrahjen dhe mbështetjen e plotë.

Në fund të kësaj ceremonie, Presidenti i Republikës së Kosovës, në mënyrë simbolike dorëzoi kopjet e disa moduleve trajnuese kandidatit që kishte arritur më së shumti pikë gjatë Provimit Përgatitor.

Sesioni i parë trajnues për kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë të rinj do të filloj me 22 shtator të këtij viti dhe vazhdon 15 muaj me radhë.


Shpërndaje :