Më 26 nëntor 2019, Akademia e Drejtësisë organizoj trajnimin me temë: “Zbatimi i së drejtës së Bashkimit Evropian nga ana e gjykatave nacionale – veçmas në Republikën e Kosovës dhe efekti i saj interpretativ para anëtarësimit” në kuadër të PTV-së.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve lidhur me efektin e të drejtës së Bashkimit Evropian në nivel nacional veçmas pas hyrjes në fuqi të MSA-së.
Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan: Zbatimi i së drejtës evropiane dhe efektet e saj në nivel nacional (efekti e drejtpërdrejt dhe i tërthortë) dhe efekti i saj në sistemin kushtetues dhe të drejtën e Republikës së Kosovës pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim-Asocimin. Ndërsa në pjesën e dytë u trajtuan: Zbatimi i së drejtës së BE-së nga ana e gjykatave nacionale në Republikën e Kosovës përmes shembujve praktikë.
Në fillim u theksua se Marrëveshja për Stabilizim dhe Asocim (MSA) gëzon efekt direkt pas ratifikimit të Ligjit Nr. 05/L-069 për ratifikim të MSA-së ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike. Sipas MSA-së në nenin 74 përcaktohet obligimi për përafrimin e legjislacionit të Kosovës me acquis e BE-së. Ky nen në detaje përkufizon fushat prioritare të acquis që duhet të transpozohen në legjislacionin vendor, në fushën e tregut të brendshëm, fushën e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë, si dhe fushat e lidhura me tregti.
Duke diskutuar për doktrinën e efektit të tërthortë, u theksua se është e mundshme dhe e dobishme të zbatohet edhe në të drejtën kosovare në periudhën e para anëtarësimit. Në të vërtetë, me MSA-në Kosova ka marrë obligimin e harmonizimit e të drejtës së saj me atë evropiane. Dobia e qasjes së tillë është në atë që të siguroj harmonizimin e të drejtës kosovare me atë evropiane. Harmonizimi, në të vërtetë, nuk është përfunduar me aprovimin e dispozitave të caktuara, por tek atëherë kur është zbatuar në praktik e cila është e ngjashme me zbatimin ne BE-së. Përgjegjësia, pra, për harmonizimin e të drejtës kosovare me të drejtën e BE-së nuk është vetëm në legjislativin, por edhe në gjykata. U vequa konkludimi se ka vështirësi dhe dilema që lidhen me zbatimin efektiv të së drejtës evropiane në nivel nacional në vështrim të praktikës së gjykatave të shtetit që nuk është ende anëtarë i BE-së por që aspiron anëtarësimin në BE.
Në vazhdim u potencua se sipas MSA-së qartë përcaktohet obligimi për përafrimin e legjislacionit të Kosovës me acquis communautaire. Duke diskutuar për katër liritë (lirinë e lëvizjes së të mirave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve) u potencua se këto janë të inkorporuara në dispozitat themelore të Kushtetutes së Kosovës dhe se Gjykata e Drejtësisë e BE-së (GJDBE) përmes praktikës së saj ka definuar kuptimin e tyre, praktikë kjo e cila vazhdimisht zhvillohet në drejtim të forcimit të autorizimeve të Bashkimit Evropian.
Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit të pjesshëm teorik, duke u bazuar në raste nga praktika gjyqësore duke u shoqëruar me ushtrime, diskutime interaktive, materialit të ofruar nga trajnuesit, analizës së rasteve nga praktika gjyqësore duke zbërthyer dispozitat e burimeve ligjore të BE-së dhe atyrë nacionale në fuqi që rregullojnë këtë lëmi.
Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve në Republikën e Kosovës.
26-11-2019