Më 13 dhjetor 2019, Akademia e Drejtësisë me përkrahjen e Bashkimit Evropian-Projekti për Kodin Civil organizoj tryezën e rrumbullakët me temë: “Risitë e Kodit Civil”. Kjo tryezë ishte në funksion të përgatitjes së trajnuesve për trajnimet që do të organizohen në të ardhmen dhe avancimin e njohurive të tyre lidhur me risitë që do të sjell Kodi Civil i Republikës së Kosovës i cili është në fazën e miratimit të tij.
Me rastin e këtij trajnimi fokusi ishte në: Risitë e Kodit Civil, sfidat në implementimin e dispozitave të reja të KC / Ndërtimi i kapaciteteve / Komentarët ligjor dhe nevojat e metodologjia që do të përdoret në trajnimet vijuese mbi këto risi.
Që në fillim u prezentuan zhvillimet e fundit në Projekt-Kodin Civil të Republikës së Kosovës me të cilin do të bëhen zhvillime të rëndësishme në të drejtat pronësore si: Janë harmonizuar dispozitat ligjore dhe Kodi përmban 5 Libra: Libri 1- Pjesa e përgjithshme, Libri 2- Detyrimet, Libri 3- Pronësia dhe të drejtat tjera sendore, Libri 4- Familja, dhe Libri 5- Trashëgimia. Ky Kodi Civil do të ketë gjithësejt 1632 nene dhe është në procedurë të miratimit në Qeveri.
Më tej në trajnim u veçuan risitë që sjell Kodi Civil i Republikës së Kosovës si në vijim: duke bërë përkufizimet e pronësisë, janë specifikuar dhe sqaruar kuptimi i dispozitave ligjore, personat e huaj mund të fitojnë të drejta sendore, përveç kur parashikohet ndryshe me ligj të veçantë, është sqaruar mirëbesimi dhe keqbesimi, për pronësinë në kafshë, ka rregulla të veçanta, janë përcaktuar llojet e pronësisë - publike dhe private, janë sqaruar të drejtat fqinjësore, janë rregulluar mënyrat e fitimit të pronësisë dhe titujt juridik.
Më tej duke trajtuar fitimin dhe humbjen e pronësisë dhe titujt juridik sipas Kodit Civil u theksua se ky Kod i ka specifikuar titujt juridik për fitimin e pronësisë (nenet 863-898 i KC). E dreja e pronësisë mund të fitohet në bazë të punës juridike, trashëgimisë, vendimit gjyqësor, vendimit të organit administrative dhe në bazë të ligjit (neni 863 i KC). E drejta e pronësisë sipas paragrafit 1 të këtij neni, fitohet nëse janë plotësuar të gjitha kushtet e parashikuara me këtë Kod lidhur me fitimin e pronësisë në sendet e luajtshme dhe të paluajtshme.
Ndërsa për fitimin e pronësisë me punë juridike (neni 864 i KC) u potencua se: 1.Pronësia kalon nga ish-pronari tek fituesi përmes një pune të vlefshme juridike, sipas mënyrës të përcaktuar me ligj, 2. Çdo punë juridike e vlefshme, qëllimi i së cilës është fitimi i pronësisë së një prone të paluajtshme, duhet të bëhet me shkrim dhe në formë të aktit noterial dhe 3. Puna juridike e vlefshme i referohet punës juridike të paraparë në Librin (2) dy të këtij kodi, dhe rregullave mbi testamentin të paraparë në Librin 5 të këtij kodi.
Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit të pjesshëm teorik, u demonstruan metodat bashkëkohore të ligjërimit, duke u bazuar në raste nga praktika gjyqësore dhe shoqëruar me diskutime interaktive, analizës së rasteve studimore dhe standardeve bashkëkohore të metodologjisë së mësimdhënies si dhe dispozitave ligjore që përmban Projekt-Kodi Civil i Kosovës.
Përfitues në këtë trajnim ishin trajnuesit gjyqësor të Akademisë së Drejtësisë që do të ligjërojnë në të ardhmen për Kodin Civil të Republikës së Kosovës dhe gjyqtarët e lëmisë civile.
13-12-2019