Me 14 dhjetor 2009, Instituti Gjyqësor i Kosovës organizoj ceremoninë solemne të diplomimit të gjeneratës së parë të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë e cila shënoj përfundimin e trajnimeve 15 mujore të organizuara nga Instituti.
Në fjalën hyrëse, Drejtori i Institutit Gjyqësor të Kosovës z. Lavdim Krasniqi paraqiti të arriturat e këtij programi dhe falënderoj të gjithë mbështetësit duke u thënë se”Të gjithë ju e përbëni nga një pjesë të secilit kandidatë dhe të qenit e tyre sot këtu”.
z. Krasniqi pastaj iu drejtua Presidentit të Republikës së Kosovës duke thënë “Këta kandidatë i plotësojnë të gjitha kriteret për t’u emëruar që sot. Ata kanë përvojën e duhur, kanë provimin e jurisprudencës, kanë kaluar provimin përgatitor (me gojë dhe me shkrim), kanë përfunduar me sukses 15 muaj të Programit Fillestar për Arsimim Ligjor, kanë kaluar provimet në mes-faza dhe ato finale nga secili kurs, kanë kaluar fazën e mentorimit/praktikës dhe ja ku janë tani GATI për tu emëruar si gjyqtar ose prokuror.”
Në përfundim të fjalës së tij, Drejtori i IGJK-së i uroj kandidatët duke i porositur “Bëhuni të barabartë, të drejtë dhe të paanshëm në secilin rast që e shqyrtoni, gjithashtu kënaquni me atë që e bëni, dhe kujtojeni atë që njëherë Nënë Tereza kishte thënë, "Jeta është premtim, përmbusheni atë".
Kryetari i Këshillit Drejtues të IGJK-së Prof. Dr. Vesel Latifi, theksoi se ky program e ka bazën e tij në Ligjin për themelimin e këtij instituti, ndërsa kornizën për implementimin e aktiviteteve dhe infrastrukturën tjetër të domosdoshme për implementimin e këtij programi, e ka miratuar Këshilli Drejtues dhe Këshilli Programor i Institutit. Më tej ai vazhdoi
“Kjo gjeneratë ka arritur të jetë gati për t’u emëruar në momentet më delikate, kur sistemi ynë po kalon një fazë të thellë reformimi dhe ndryshimesh”.
Jam i emocionuar me atë që dëgjova për përgatitjen e juaj, për gatishmërinë e juaj që të hyni në një proces të ri të marrjes së barrës të rëndësishme për vendin, në të njëjtën kohë për shfrytëzimin e mirë të mundësive të mëdha që ka ofruar Kosova me mbështetjen ndërkombëtare që të bëni studime të këtij tipi, edhe komplementare, për të përgatitur veten tuaj për misionin për të cilin jeni përcaktuar”, tha presidenti Sejdiu.
Duke çmuar lart rolin dhe rëndësinë që kanë gjyqtarët dhe prokurorët në vendin tonë, Presidenti Sejdiu foli edhe rreth sfidave me të cilat do të ballafaqohet kjo gjeneratë e të posa diplomuarve. “Dhe ku janë sfidat? Janë sfidat në mosrealizimin e tyre kur do të ndesheni, eventualisht, janë sfidat në vënien e drejtësisë në vend, në akuzën me bazë apo në akuzën e pabazë, janë sfidat në shumë aspekte të tjera që lidhen në të përditshmen që do ta ndeshni në jetën apo në shekullin e punës në vazhdim.
Në vazhdim Presidenti tha, “Duhet të investojmë në procese, që të krijohet një bazë e mirë, e qëndrueshme e njerëzve që i duhen Kosovës të të gjitha etnive. Jam shumë i gëzuar që sot vërtet kemi arritur të përfundojmë një cikël të rëndësishëm të përgatitjes plus të të gjithë juve që jeni prezentë, them dhe e kam shtruar idenë edhe në takimet e mëhershme që ky cikël të shndërrohet në nivel të shkollës apo do ta quaja të Akademisë profesionale të magjistraturës, që njerëzit e shohin jo si filtër por si shans plus për të krijuar një fond të mirë që i duhet Kosovës”.
Kryesuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, znj. Lirije Osmani në fjalimin e saj falënderoj Institutin Gjyqësor të Kosovës për mbështetjen me kuadro të reja të sistemit gjyqësor dhe duke iu referuar të ardhmes së këtyre kandidatëve ajo tha se Këshilli Gjyqësor i Kosovës së shpejti do të nënshkruaj një memorandum me Institutin Gjyqësor mbi bazën e të cilit kandidatët e sapo diplomuar do të vazhdojnë punën praktike në gjykata dhe prokurori deri në emërimin e tyre përfundimtarë.
Ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë z. Christopher Dell, në fjalimin e tij ndër të tjera theksoi "Sot është ditë e madhe për Kosovën, sot jemi dëshmitarë të një hapi të rëndësishëm, kur sistemi gjyqësor në Kosovë ka kaluar nëpër shumë sfida viteve të kaluara dhe duhet punuar të gjithë në bashkëpunim për fuqizim të sundimit të ligjit". Z. Dell ka premtuar se Qeveria e SHBA-ve do të vazhdojë mbështetjen ndaj Kosovës me kuadro të cilat do të ndihmojnë gjyqësorin e Kosovës.
Ndërsa, z. Renzo Davidi, shef i Zyrës Ndërlidhëse të KE-së në Prishtinë, në paraqitjen e tij tha se: "Roli i fuqishëm i drejtësisë është çelës për funksionimin e shoqërive demokratike. Në këtë kontekst, është shumë e rëndësishme mbështetja dhe trajnimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj, të cilët do të japin kontributin e tyre në këtë drejtim".
Në fund të kësaj ceremonie, Presidenti i Republikës së Kosovës, kryesuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryetari i Këshillit Drejtues të IGJK-së dhe Drejtori i Institutit Gjyqësor të Kosovës, kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë ua shpërndanë diplomat duke u uruar sukses në realizimin e misionit të shenjtë të drejtësisë.
14-12-2009