Më 12 shkurt 2020, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme (PTV) në bashkëpunim me Programin e USAID – Drejtësia Komerciale implementuar nga CHECCHI and COMPANY realizuan trajnimin me temë “Ndërmjetësimi në aspektin penal, civil dhe ekonomik”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të pjesëmarrësve lidhur me risitë që ka sjellë Ligji nr.06/-009 për Ndërmjetësimin, si dhe identifikimin më të lehtë të lëndëve të përshtatshme për tu referuar në procedurën e ndërmjetësimit.
Në kuadër të këtij trajnimi janë elaboruar parimet e ndërmjetësimit, inicimi i procedurës së ndërmjetësimit, ndërmjetësimi i detyrueshëm, procedura dhe obligimet e gjyqtarëve, zhvillimi i procedurës së ndërmjetësimit, marrëveshja e ndërmjetësimit dhe efektet e saj, të drejtat dhe detyrimet e palëve në procedurën e ndërmjetësimit.
Po ashtu është diskutua edhe referimi i lëndëve në procedurën e ndërmjetësimit që është në diskrecionin e gjyqtarëve duke mos anashkaluar vullnetin e palëve në kontest dhe në pajtim me dispozitat përkatëse ligjore.
Ky trajnim shërbeu si orientim për gjyqtarët dhe stafin tjetër të gjykatave dhe prokurorive për identifikimin më të lehtë të kontesteve të përshtatshme për tu zhvilluar në procedurë të ndërmjetësimit, si dhe lëndët e tjera për të cilat parashihet ndërmjetësimi i detyrueshëm.
Metodologjia e zbatuar ishte e karakterit të kombinuar, me shpjegime teorike dhe diskutime interaktive.
Përfitues të këtyre trajnimeve ishin: gjyqtarët nga gjykatat themelore, nga Departamenti i Përgjithshëm dhe Departamenti për Çështje Ekonomike, prokurorë të nivelit themelore, Bashkëpunëtorët Profesional dhe Ndërmjetësues.
12-02-2020