Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

20-02-2020

E Drejta në Gjykim të Drejtë – Neni 6 i KEDNJ

Më 20 shkurt 2020, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme (PTV) ka realizuar trajnimin me temë: “E Drejta në Gjykim të Drejtë – Neni 6 i KEDNJ”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve lidhur me të drejtat dhe detyrimet e palëve gjatë procesit gjyqësor.

Në pjesën e parë të trajnimit u diskutua rreth nocionit dhe kategorive të procesit të drejtë gjyqësor në kuptim të nenit 6 të KEDNJ si dhe standardet ndërkombëtare, në cilën fazë të procesit zbatohet neni 6, çfarë përgjegjësie kanë gjyqtarët, çfarë janë të drejtat civile dhe detyrimet, çfarë kuptohet me akuzën penale, natyrën e veprës penale.

E drejta për një proces të drejtë gjyqësor është parashikuar me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas përkufizimit të nenit të cekur më lartë me përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të tij, civile ose të ndonjë akuze penale kundër tij. Pra, çdo njeri ka të drejtë për një proces të drejtë dhe të hapur brenda afatit të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar sipas ligjit.

Në vazhdim është diskutuar edhe për të drejtat e veçanta që zbatohen ndaj të miturit ku GJEDNJ ka njohur faktin se të drejtat e një procesi të drejtë gjyqësor sipas nenit 6 të KEDNJ zbatohen edhe ndaj procedurave të miturve, dhe çdo sugjerim që fëmijët e akuzuar të mos përfitojnë nga garancitë e procesit të drejtë, janë të papranueshme.

Ndërsa në pjesën e dytë është diskutuar për prezumimin e pafajësisë, e drejta për mjete juridike për Jurisprudencën e GJEDNJ-së në çështjet administrative.

Metodologjia e trajnimit ishte e kombinuar me metodat e shpjegimit duke përfshirë shpjegime teorike dhe praktike të përcjella me shembuj praktik.

Përfitues të këtij aktiviteti ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit Suprem, të Apelit dhe nivelit themelore.

Shpërndaje :