Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

04-03-2020

Mbrojtja gjyqësore në rastet e së drejtës së pronësisë, servituteve dhe pengimit të posedimit

Më 03-04 Mars 2020, Akademia e Drejtësisë, në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme (PTV), në bashkëpunim me projektin e financiar nga BE-së “Mbështetje Kodit Civil Faza 2” organizoi trajnimin me temë “Mbrojtja gjyqësore në rastet e së drejtës së pronësisë, servituteve dhe pengimit të posedimit”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të pjesëmarrësve lidhur me mbrojtjen gjyqësore nga pengim posedimi dhe servitutet.

Në ditën e parë të trajnimit u diskutuan autorizimet e së drejtës së pronësisë, pronësia dhe pasuria, karakteristikat e së drejtës së pronësisë, kufizimet e së drejtës së pronësisë, e drejta fqinjësore, imisionet, rëndësia e mbrojtjes e së drejtës së pronësisë, paditë për mbrojtjen e së drejtës pronësore, llojet e padive, padia e reivindikimit, padia publiciane, padia negatore, natyra posedimit, nocioni i posedimit, objekti i posedimit, elementet e posedimit, llojet e posedimit, fitimi dhe humbja e posedimit, mbrojtja e posedimit dhe kompetenca.

Në ditën e dytë u trajtuan afati për ekzekutim të detyrueshëm të vendimit, servituti si një e drejtë sendore mbi sendin e huaj, objekti i servitutit, subjektet e servitutit, ndarja e servituteve, mënyrat e fitimit të servitutit, shuarja e servitutit, shuarja e servitutit sendor, shuarja e servitutit personal.

Gjatë trajnimit u potencua se në procedurën që zhvillohet për kontestet për shkak të pengim posedimit, si procedurë e posaçme kontestimore që është rregulluar me dispozitat e Ligjit për Procedurën Kontestimore, gjykata i jep mbrojtje gjyqësore personit të cilit i është marrë sendi nga posedimi apo të cilit i shkaktohen pengesa gjatë shfrytëzimit të tij. Me dispozitat ligjore të përmendura mundësohet rivendosja e shpejtë dhe efikase e gjendjes faktike të çrregulluar, ku shqyrtimi i çështjes sipas padisë për shkak të pengim posedimit nga gjykata do të kufizohet vetëm në konstatimin dhe të provuarit e fakteve të gjendjes së fundit të posedimit dhe të pengimit të bërë.

Metodologjia e trajnimit ishte e kombinuar, u përdoren metodat interaktive të diskutimit dhe shtjellimit të rasteve, është punuar në grupe dhe janë zbërthyer rastet praktike.

Përfitues të këtij trajnimi ishin Gjyqtarë nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, Gjykata e Apelit, Gjykatave Themelore të të gjitha regjioneve të Kosovës dhe Bashkëpunëtor Profesional.

Shpërndaje :