Më 17-18 qershor 2020, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme në bashkëpunim me Departamentin Ligjor të SHBA-së/OPDAT janë duke e realizuar trajnimin përmes platformës Zoom me temë “Program i Specializuar Trajnimi-Prokurimi publik - Sesioni I”.
Trajnues të angazhuar në këtë trajnim janë: z. Valon Kurtaj, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, z. Admir Shala, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren dhe z. Agim Shaqiri, Trajnues për Prokurim Publik.
Qëllimi i këtij trajnimi është avancimi i njohurive të pjesëmarrësve lidhur me prokurimin publik dhe zbatimin e drejtë të dispozitave lidhur me hetimin dhe gjykimin e veprave penale të kësaj natyre.
Në fokus të këtij trajnimi do të jenë edhe faza e implementimit të kontratës dhe po ashtu hetimi dhe gjykimi i veprave penale të kësaj natyre.
Gjatë këtij trajnimi janë duke u elaboruar: Vlerësimi i nevojave/Përcaktimi i kërkesave, planifikimi i prokurimit, procesi i dizajnimit dhe përgatitja e dokumenteve të ofertimit-dosja e tenderit - specifikimi teknik, metodat dhe teknikat e hetimit të mashtrimit dhe korrupsionit në prokurim publik, dallimi ndërmjet çështjeve administrative e asaj penale, kriteret e kualifikimit dhe vlerësimit, vlerësimi i ofertave, zgjedhja e kontraktorit dhe faza e dhënies së çmimit, Rekomandimi i operatorit fitues, Skemat e mashtrimit dhe korrupsionit në prokurim publik, Vërtetimi i elementeve të veprës penale, standardi i provës apo dyshimit që kërkon gjykata për të konsideruar se është kryer një vepër penale e prokurimit.
Metodologjia e zbatuar ishte e karakterit të kombinuar, me shpjegime teorike dhe diskutime interaktive.
Përfitues të këtij trajnimi janë: Gjyqtarët e gjykatave themelore dhe të Apelit, prokurorët e prokurorive themelore dhe të Apelit dhe të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, hetues policor, zyrtarë doganorë, zyrtarë nga ATK dhe NJIF.
18-06-2020