Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

29-06-2020

Mjetet e Përmbarimit

Më 29-30 qershor 2020, Akademia e Drejtësisë organizoj trajnimin me përkrahjen e GIZ-it me temë: “Mjetet e Përmbarimit” në kuadër të PTV-së. Ky trajnim u mbajt virtualisht përmes platformës elektronike Zoom. Trajnimi u zhvillua direkt/live për dy ditë, dita I me 29.06.2020 nga ora 13:00-15:30 dhe dita II me 30.06.2020 nga ora 13:00-15:30. Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me tematikën e mjeteve përmbarimore.

Në dy ditët e trajnimit u trajtuan temat në vijim: Llojet e mjeteve përmbarimore në procedurën përmbarimore; Kategorizimi i mjeteve të përmbarimit dhe Procedura gjyqësore përmbarimore sipas mjeteve të përmbarimit. Pastaj u zbërthyen edhe çështjet lidhur me përmbarimin në sendet e luajtshme, veprimet përmbarimore, seanca e shitjes publike, autorizimi për shitjen e sendit të lënë peng, ankandet, shitja me marrëveshje, paluajtshmeria me shumë pronar, detyrimet e bankave dhe dorëzimi dhe marrja e fëmijës.

Në trajnim u theksua se Ligji për Procedurën Përmbarimore rregullon procedurën përmes të cilës gjykatat dhe përmbaruesit privat përcaktojnë dhe zbatojnë përmbarimin në baze të dokumenteve përmbarimore dhe dokumenteve të besueshme, përveç nëse me ligj të veçantë nuk është parapare ndryshe. Në kuptim të këtij ligji cilësinë e organit përmbarues e ka përmbaruesi privat dhe gjykata e shkallës së parë, gjë kjo e cila nuk ka qenë e paraparë me ligjet e mëhershme të procedurës përmbarimore. Përmes këtij ligji është synuar që lëndët përmbarimore për shkak të natyrës së tyre urgjente të mund të trajtohen brenda një afati sa më të shkurtër kohor, gjë e cila drejtpërdrejt do të kishte ndikim pozitiv në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve për realizimin me kohë të kërkesave të tyre.

Gjithashtu u potencua se mjetet e përmbarimit janë metoda me të cilat organi përmbarues qoftë edhe pa pëlqimin e debitorit, ndërmerr veprime për realizimin e kredisë së kreditorit. Veprimet përmbarimore kryhen me qëllim të zbatimit të përmbarimit. Zbatimi i përmbarimit përbehet nga veprimet që i kryejnë organet përmbaruese, si gjykata apo përmbaruesi privat, me qëllim të krijimit të një situate të re materiale juridike, në mes të palëve në procedurë, apo në mes palëve dhe pjesëmarrësve të tjerë që fitojnë ndonjë të drejtë në procedurë. Llojet e mjeteve përmbarimore  janë si rezultat i dinamikes së zhvillimit të rrethanave ekonomike, domosdoshmërisë për realizimin më efikas të kërkesës së kreditorit, gjithmonë duke pasur për bazë edhe parimin e mbrojtjes së debitorit, dinjitetin e tij, duke mos cenuar me këto veprime të mirat materiale të domosdoshme për ekzistencë. 

Në trajnim u zbërthyen edhe raste nga praktika gjyqësore nga GJEDNJ në Strasburg në tematikën e përmbarimit. Pastaj u elaboruan praktikat e mira të shteteve në rajon në rastet e përmbarimit dhe në praktikën gjyqësore vendore duke zbërthyer dhe analizuar procedurën e përmbarimit dhe etapat e saj.

Gjatë këtij trajnimi u përdoren metoda të kombinuara të shpjegimit, duke përfshirë shpjegime teorike dhe praktike, të përcjella me shembuj nga praktika gjyqësore dhe diskutime për mënyrën e vendosjes meritore për rastet konkrete.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e Gjykatës së Apelit dhe gjykatave themelore (divizioni civil), nga të gjitha regjionet e Kosovës.

Shpërndaje :