Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

03-08-2020

Takimi me gjyqtarë dhe prokurorë për vlerësimin e nevojave dhe programit trajnues në fushën e diskriminimit

Më 3 gusht 2020, Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me UNDP, në funksion të hartimit të programit trajnues për vitin 2021 adekuat me nevojat trajnuese për fushën e diskriminimit, përmes platformës ZOOM kanë realizuar takimin e radhës me grupin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët vinin nga gjitha nivelet dhe regjionet e Kosovës.

Gjatë këtij takimi në fokus ishte përmbledhja e e cila përfshinte kornizën ligjore vendore dhe ndërkombëtare në fushën e diskriminimit dhe mekanizmat institucional në mbrojtje nga diskriminimi, si dhe sfidat dhe problemet praktike në zbatimin e këtij legjislacioni, me theks të veçantë të Ligjit mbi diskriminimin dhe Ligjit për barazinë gjinore të Kosovës.

Gjatë diskutimeve u vunë në pah disa raste të diskriminimit për të cilat janë ngritur padi e të cilat ende nuk e kanë marrë epilogun  apo ende nuk janë vënë në punë për shkak të grumbullimit të lëndëve dhe faktit se nuk janë të klasifikuara si urgjente. Rastet kryesisht ishin nga personat me aftësi të kufizuar. Gjithashtu gjyqtarët potencuan se gjykatat ende nuk janë sfiduar me rastet e diskriminimit dhe kjo për shkak të kulturës dhe traditës. Megjithatë me rastin e diskutimeve ata theksuan nevojën për trajnime të specializuara dhe hartimin e manualeve dhe doracakëve sa i përket aspektit procedural se si ti qasen rasteve që kanë të bëjnë me diskriminimin.

Me rastin e këtij takimi nga ky grup dolën rekomandimet për fuqizimin e kapaciteteve të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe  zyrtarëve që merren me këtë fushë për të qenë më efikas dhe më funksional në mbrojtjen nga diskriminimi. Më tej u kërkua që pyetësorin për vlerësim të nevojave trajnuese dhe zhvillimit të kurrikulës trajnuese ta plotësojnë dhe ta dërgojnë me tematikën konkrete bazuar në rastet më të shpeshta të diskriminimit që i hasin  në praktikë.  

Pjesëmarrës në këtë takim ishin gjyqtarë nga Gjykata Supreme, Apelit dhe Themelor si dhe prokuror nga Prokuroria Themelore nga regjioni i Mitrovicës dhe Prishtinës.

Shpërndaje :