Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

08-12-2020

Gazetaret dhe rreziqet e dhunës ndaj grave

Këshilli i Evropës me 08 dhjetor 2020 organizoj tryezën e diskutimit mbi mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve me tematikë “Gazetaret dhe rreziqet e dhunës ndaj grave”. Tryeza e diskutimit u organizua në kuadër të Projektit të Përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Liria e shprehjes dhe liria e mediave (JUFREX 2)” dhe projektit “Përforcimi i luftës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje - Faza II”. Tryeza u organizua gjatë fushatës “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore"dhe për qëllim kishte ndërgjegjësimin për rolin e rëndësishëm të mediave për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Që në fillim me nga një fjalë rasti u paraqitën znj. Gresa Musliu, Zyrtare e lartë e Projektit, JUFREX, z. Frank Power, Shef i Këshillit të Evropës - Zyra në Prishtinë, z. Naim Qelaj, Avokat i Popullit, z. Riccardo Serri, Shefi i Divizionit Politik, Ekonomik dhe Integrimit Evropian në Zyrën e BE-së, znj. Jenny Stenberg Sorvold, zëvendës ambasadore, Ambasada Mbretërore Norvegjeze në Prishtinë. Në këtë tryezë nga Akademia e Drejtësisë së Kosovës pjesëmarrës ishte z. Islam Sllamniku, trajnues gjyqësor i përhershëm.

Me prezantime të veçanta u paraqitën: znj. Gentiana Begolli-Pustina, Kryetare e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, znj. Merita Limani, Menaxhere e Projektit, Përforcimi i luftës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje-Faza II, z. Besim Kelmendi, Koordinator nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit për trajtimin e rasteve të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, znj. Lambrini Papadopulos, gazetare, pjesëtare e grupit punues gjatë hartimit të Kursit HELP mbi Mbrojtjen dhe Sigurinë e gazetarëve dhe znj. Flutura Kusari, Juriste e së drejtës së mediave, konsulente e Këshillit të Evropës.

Në fillim u trajtuan çështjet lidhur me Sistemin ekzistues për raportimin dhe ndjekjen penale të sulmeve kundër gazetarëve, Numri i rasteve dhe trendi i rasteve të raportuara vecmas sulmet - dhuna ndaj gazetareve gra, Bashkëpunimi me platformat për promovimin e sigurisë së gazetarëve dhe Raportimi mediatik mbi dhunën ndaj grave dhe dhunës në familje - sfidat dhe mundësitë. Pastaj u zbërthyen standardet e Konventës së Stambollit të Këshillit të Evropës për rritjen e ndërgjegjësimit mbi dhunën në familje dhe dhunën ndaj grave - roli i mediave.

Një tematikë që u veçua ishte edhe Roli i Prokurorisë në hetimin e rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve, Masat e ndërmarra për krijimin e një sistemi për trajtimin e rasteve të sulmeve fizike dhe verbale kundër gazetarëve, dhe Numri i rasteve me të cilat Prokuroria ka hetuar dhe është duke i hetuar aktualisht/sfidat në hetimin e rasteve.

Në vazhdim u trajtuan edhe Kërcënimet gjinore ndaj gazetarëve grave dhe burra si: cenzura, frikësimi dhe sulmet fizike dhe psikologjike kundër gazetarëve, Stereotipat gjinore dhe parimet e barazisë gjinore, Efektet e bullizmit në internet me fokus të veçantë tek gazetaret gra. Me dobi ishte edhe Prezantimi i kursit online HELP mbi Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve.

Gjithashtu me interes ishte edhe trajtimi i Pasqyrës së situatës aktuale në vend mbi sigurinë e gazetarëve dhe pandëshkueshmërinë, vecmas te gazetaret gra, dhe Burimet kryesore të kërcënimeve: kërcënime fizike, online dhe sulmet ligjore me të cilat përballen gazetarët, Prezantim i mjeteve dhe mekanizmave ekzistues vendorë mbi sigurinë e gazetarëve. U trajtuan edhe paditë SLAPP - Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike.

Në këtë  trajnim u prezantuan edhe materialet e reja dhe praktika gjyqësore aktuale e GJEDNJ në kontekstin e mbrojtjes dhe sigurisë së gazetarëve si dhe rreziqet e dhunës ndaj grave-gazetare. Në pjesën e fundit u zhvillua një diskutim me dobi ku morën pjesë të gjithë pjesëmarrësit.

Shpërndaje :