Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

19-06-2013

Të Drejtat e Njeriut dhe Trajnimi për Profesionistë Ligjor

Me 18 dhe 19 qershor në Strasburg të Francës është zhvilluar Konferenca me titull “Çështje të Ndërlidhura me të Drejtat e Njeriut dhe Trajnimi për Profesionistë Ligjor”. Kjo konferencë u organizua nga Këshilli i Evropës, përkatësisht Programi HELP  i cili si qëllim kryesor ka mbështetjen e ngritjes së kapaciteteve në zbatim të trajnimeve për të drejtat e njeriut.
Temat e trajtuara në këtë konferencë ishin; bashkëpunimi në organizim të trajnimeve për profesionistë ligjor lidhur me Konventën Evropiane për Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut, bashkëveprimi ndërmjet kurrikulave trajnuese lidhur me të drejtat e njeriut, perspektivat e përfshirjes së të drejtave të njeriut në kurrikulat trajnuese, iniciativat ndërkombëtare për trajnimin e profesionistëve ligjor, burimet e hapura trajnuese për profesionistë ligjorë dhe kurrikulat model në lëmin e trajnimeve për të drejtat e njeriut. 
Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve kombëtare të trajnimit për gjyqtarë, prokurorë dhe profesionistë tjerë ligjorë nga 47 vendet anëtare të Këshillit të Evropës. Pasi që Kosova ende nuk është shtet anëtar i Këshillit të Evropës, në këtë konferencë IGJK është ftuar në cilësi të vëzhguesit dhe u përfaqësua nga drejtori Lavdim Krasniqi.
Përvojat dhe rekomandimet e kësaj konference janë burim i rëndësishëm në përcaktimin e përmbajtjes dhe metodologjisë së programeve trajnuese për të drejtat e njeriut të cilat aplikohen nga IGJK.

Shpërndaje :