Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

24-04-2014

“Hetimet – planifikimi dhe udhëheqja e hetimeve të krimeve financiare”

Me 17 prill 2014, IGJK ne bashkëpunim me B&S Europe ka realizuar trajnimin me temën e lartëpërmendur.

Përmes qasjes bashkëkohore të mësimdhënies dhe përdorimit të teknikave interaktive të trajnimit nga ana e trajnuesit ndërkombëtar dhe atyre vendor, u trajtuan çështjet që kanë të bëjnë me udhëheqjen e hetimeve të krimeve financiare, procedurat hetimore paraprake nga agjencionet e zbatimit te ligjit, rëndësinë e hartimit të planit hetimor të krimit financiar, teknikat e hetimit, gjurmimin e aseteve, menaxhimin e rastit si dhe sigurimin e bashkëpunimit efikas dhe shkëmbimit të informacionit midis autoriteteve kompetente - organeve të zbatimit të ligjit.

Gjithashtu përmes rasteve praktike pjesëmarrësit patën mundësinë që të analizojnë metodat aktuale të hetimit financiar në Kosovë dhe diskutojnë për mundësinë e përmirësimit dhe avancimit të praktikave të tilla.

Në fund të trajnimit pjesëmarrësit arritën në konkludim se për të pasur sukses që në fazat e para të hetimit duhet të:

  • Ekzistojë një plan hetimor
  • Të ketë hetime paralele - hetimi i veprës penale me atë finaciare dhe
  • Të ketë bashkëpunim midis institucioneve

Përfitues të këtij trajnimi ishin prokurorë të Prurorive Themelore dhe gjyqtarë të Gjykatave Themelore nga të gjitha regjionet e Kosovës, zyrtarë nga Policia e Kosovës, si dhe zyrtarë nga Dogana e Kosovës.

Shpërndaje :