Me ftesë të Drejtorit të IGJK-së në Kosovë po qëndron për vizitë një delegacion i lartë i Akademisë së Drejtësisë së Republikës së Turqisë (ADT). Kjo vizitë realizohet në kuadër të bashkëpunimit të përcaktuar me Memorandumin e Bashkëpunimit të lidhur në mes të këtyre dy institucioneve respektive.
Qëllimi i vizitës është njohja me sistemin dhe praktikën gjyqësore në Kosovë, shkëmbimi i ideve për praktikat më të mira, shkëmbimi i përvojave në raport të organizimit të trajnimeve gjyqësore, ngritja e nivelit të bashkëpunimit në mes të IGJK-së dhe ADT-së si dhe mundësia e organizimit të programeve të përbashkëta të trajnimeve gjyqësore.
Në kuadër të vizitës, delegacioni nga ADT, ka vizituar IGJK-në ku është njoftuar me historikun, kornizën ligjore, strukturën dhe planet për të ardhmen. Gjatë kësaj vizite janë realizuar edhe takime me Ministrin dhe Zëvendësministrin e Drejtësisë, Kryetarin e Gjykatës Supreme, Kryesuesin dhe një anëtar i Këshillit Gjyqësor, Drejtorin e Sekretariatit të KGJK-së dhe prokurorë nga Zyra e Kryeprokurorisë së Shtetit si dhe Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit.
Gjatë qëndrimit në Kosovë delegacioni i ADT-së do të realizon edhe vizita me kryetarët e Gjykatave Themelore në Gjilan dhe Prizren.
14-05-2014