Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtarë, Instituti Gjyqësor i Kosovës nëpërmjet projektit të financuar nga BE “ Mbështetje e Mëtejme në Reformën e Edukimit Ligjor në Kosovë” nga data 7-13 shtator 2014 ka realizuar programin e trajnimit praktik për grupin e parë të kandidatëve të gjeneratës së pestë të Programit të Trajnimit Fillestar (PTF), në Qendrën e Drejtësisë në Aachen - Gjermani dhe Gjykatën dhe Prokurorin Publike Themelore në Maastricht - Holandë.
Qëllimi i programit ishte fitimi i përvojave dhe shkathtësive profesionale nga praktika e sistemit gjyqësor dhe prokurorial të Gjermanisë e Holandës, si dhe bartja e tyre në punën e ardhshme në gjykata dhe prokurori, duke synuar rritjen e efikasitetit të punës së gjykatave dhe prokurorive në Kosovë.
Gjatë këtij programi kandidatët patën rastin të njihen me funksionimin e organizimit gjyqësor dhe prokurorial gjerman dhe holandez, rëndësinë dhe strukturën e gjykatave dhe prokurorive, aspektet administrative të punës gjyqësore, autonominë dhe paanësinë e gjyqtarëve, relacionin në mes gjyqësorit dhe medieve si dhe arsimimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në këto dy vende.
Gjithashtu kandidatët patën rastin të përcjellin seanca dëgjimore. Po ashtu kandidatët vizituan edhe video – dhomën në gjykatën themelore ne Maastricht dhe qelitë për qëndrim ditor në Qendren e Drejtësisë në Aachen të Gjermanisë
18-09-2014