Nga data 13 – 14 dhjetor 2021, në Strasburg të Francës, me mbështetjen e projektit të Këshillit të Evropës “Forcimi i institucioneve në luftën kundër torturës, keqtrajtimit dhe trajtimeve të tjera degraduese”, është realizuar një vizitë studimore pranë Këshillit të Evropës, përfshirë edhe Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Qëllimi i vizitës ishte të ofrojë mundësi për pjesëmarrësit që të kuptojnë më mirë funksionimin e Këshillit të Evropës, Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut si dhe organeve të tjera monitoruese si Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor ose Degradues (CPT).
Gjatë kësaj vizite, pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjojnë prezantime të ndryshme dhe të diskutojnë lidhur me interpretimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në nivel kombëtar, sfidat dhe çështjet të lidhura me zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së, duke përfshirë praktikat e mira në Evropën Juglindore, si dhe bashkëpunimi me vendet anëtare të KiE në luftën kundër torturës dhe në mbështetje të sistemit të drejtësisë penale. Gjithashtu, u potencua edhe ndikimi i pandemisë dhe mësimet e COVID-19, në transformimet dixhitale të gjyqësorit. Ndërsa, në përmbyllje të këtyre diskutimeve dyditore, Ambasadorja në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Strasburg, Mimoza Ahmetaj, ka prezentuar një pasqyrë të bashkëpunimit dhe aktiviteteve teknike ndërmjet Këshillit të Evropës dhe Kosovës.
Pjesëmarrës në këtë vizitë studimore ishin: Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Kryeprokurori i Shtetit, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosoves, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosoves, Drejtori Ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë, përfaqësues nga Institucioni i Avokatit të Popullit dhe Mekanizmit Parandalues Kombëtar të Kosovës.
14-12-2021