Më 26 nëntor 2014, IGJK në kuadër të trajnimeve për avancim, për prokurorët e sapo emëruar në Prokuroritë Themelore të Kosovës ka realizuar sesionin e radhës me temë: “Shkrimi dhe arsyetimi gjyqësor”.
Qëllimi i këtij sesioni trajnues ishte krijimi i praktikave më të mira në drejtim të hartimit dhe arsyetimit plotë të vendimeve dhe akteve përmes zbatimit të metodës IRAC.
Gjatë trajnimit u diskutua për përmbajtjen dhe rëndësinë e shkrimit dhe arsyetimit gjyqësor si dhe përparësitë e metodës IRAC (identifikimi i çështjes, identifikimi i rregullit, analiza dhe përfundimi) në zbatimin e drejtë të ligjshmërisë dhe në hartimin e arsyetimin e plotë të vendimeve dhe akteve që prokurorët janë të obliguar ti nxjerrin gjatë punës së tyre.
Trajnuesit përmes ofrimit dhe studimit të rasteve praktike sugjeruan përdorimin e fjalive të thjeshta, të shkurta, konkrete, me paragrafë të organizuar mirë dhe konkretë.
Përfitues të këtij trajnimi ishin prokurorët e sapo emëruar në Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe Gjakovë.
28-11-2014