Më 27 janar 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës ka realizuar trajnimin në fushën civile me temën “Zbatimi i ligjit për themelimin e regjistrit të të drejtave për pronën e paluajtshme”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte shkëmbimi i përvojave në mes gjyqtarëve dhe zyrtarëve të Agjencisë Kadastrale të Kosovës në drejtim të avancimit të njohurive profesionale në interpretimin dhe njohjen e rolit të regjistrit të të drejtave të pronës së paluajtshme dhe vlerësimin e zbatimit të procedurave administrative si dhe procedurave të korrigjimit të regjistrit nga Zyra e Agjencisë Kadastrale.
Gjatë këtij sesioni u trajtuan temat lidhur me marrjen e veprimeve adekuate ligjore në afatet e caktuara për zbatimin e procedurave për regjistrimin pronave të paluajtshme në Zyrën Kadastrale Komunale, kërkesa për rishqyrtim të vendimit të Zyrës Kadastrale Komunale dhe afati lidhur me vlerësimin e kërkesës për rishqyrtim. Gjithashtu është vlerësuar kërkesa që ushtrohet kundër vendimit të Zyrës Kadastrale Komunale pranë Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe inicimi i konfliktit administrativ pranë gjykatës kompetente.
Trajnimi u zhvillua me diskutime nga ana e pjesëmarrësve lidhur me sfidat që i përcjellin dhe bashkëpunimi në tejkalimin e vështirësive me të cilat ballafaqohen.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e departamentit administrativ të Gjykatës Themelore në Prishtinë, gjyqtarët e departamentit administrativ të Gjykatës së Apelit dhe zyrtarët e Agjencisë Kadastrale të Kosovës.
27-01-2015