Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

11-03-2015

Hetimi i krimeve financiare

Më 11 mars 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës me mbështetjen e GIZ ka mbajtur trajnimin dy ditor me temë “Hetimi i krimeve financiare”.

Qëllimi i organizimit të këtij trajnimi ishte trajtimi i çështjeve të lidhura me planifikimin e hetimeve financiare, përdorimin e metodave bashkëkohore të hetimeve financiare dhe dallimi i procedurës për vërtetimin e të  hyrave financiare nga veprat penale dhe atyre të ligjshme si dhe thellimi i njohurive lidhur me konfiskimin dhe sekuestrimin.

Në ditën e parë të trajnimit u elaboruan planifikimi i hetimit ku u theksuan planifikimi i marrjes në pyetje dhe angazhimi i ekspertit, hetimi i pastrimit të parave i cili arrihet përmes teknikave të hetimit financiar. Në këtë rrafsh u trajtuan dy nga mënyrat e shfrytëzimit të pastrimit të parave, ajo e hetimit të krimit bazë që pastaj të bëhen përpjekje për të gjurmuar paratë dhe mënyra e lokalizimit të parave dhe përpjekjet për t’i lidhur me krimin bazë.

Elementet e pastrimit të produkteve të veprës penale, treguesit apo indikatorët e pastrimit të parave dhe fazat e pastrimit të parave po ashtu ishin çështje të ngritura për trajtim dhe diskutim, pastaj pjesëmarrësit u ndanë në grupe punuese dhe u angazhuan për zgjidhjen e një rasti praktik.

Ndërsa në ditën e dytë punimet në këtë trajnim u fokusuan kryesisht në trajtimin e kornizës ligjore vendore dhe kornizës ligjore ndërkombëtare lidhur me konfiskimin dhe sekuestrimin, qëllimin e konfiskimit dhe sekuestrimit, si dy forma të marrjes së pasurisë të përfituar me vepër penale, kushtet për konfiskim dhe sekuestrim, problemet e implementimit të konfiskimit dhe sekuestrimit në praktikë,  ku u diskutua për praktikën e paktë sa i përket rasteve në këtë fushë.

Në këtë kontekst u trajtuan edhe dispozitat ligjore lidhur me procedurën, rolin dhe veprimet e gjyqtarit dhe prokurorit në procedurën e konfiskimit dhe sekuestrimit, parashtrimi i kërkesës për sekuestrim dhe konfiskim nga prokurori dhe trajtimi i saj nga ana e gjyqtarit.

Po ashtu u elaboruan parimet bazë për sekuestrim dhe konfiskim me theks të veçantë u trajtuan parimi i veprimit sipas iniciativës – kërkesës së prokurorit, parimi i mbikëqyrjes gjyqësore dhe parimi i ligjshmërisë, masat e përkohshme dhe kërkesa për masa të përkohshme për sigurimin e pasurisë.

Trajnimi u zhvillua përmes diskutimeve të pjesëmarrësve lidhur me vështirësitë në zbatim të legjislacionit në praktikën gjyqësore aktuale.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e Gjykatave Themelore dhe prokurorët e Prokurorisë Speciale, të Apelit dhe Prokurorive Themelore.

Shpërndaje :