Më 03 mars 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës me mbështetjen e UNICEF-it ka realizuar trajnimin për gjyqtarë dhe prokurorë me temë: “Masat e diversitetit dhe roli i tyre në shmangien nga stigmatizimi i të miturve”.
Ky trajnim u realizua me qëllim të definimit të qëllimit dhe kushteve për shqiptim të masave të diversitetit, vlerësimit të masave adekuate për situatat specifike dhe identifikimi se ndaj kujt dhe për çfarë vepra mund të shqiptohen këto masa.
Gjatë këtij sesioni u trajtua legjislacioni vendor, me theks të veçantë Kodi i Drejtësisë për të Mitur, ku u theksuan mangësitë dhe problemet në zbatimin praktik të masave të diversitetit nga këndvështrimi i gjyqtarit dhe prokurorit.
Në këtë kontekst u diskutua pëlqimi i të miturit për shqiptim të masës së diversitetit, prezenca e të miturit, prindit dhe mbrojtësit në seancë për shqiptim të masës së diversitetit, marrja e aktvendimit për shqiptim dhe aktvendimit për pezullim të procedurës i cili mund të ndodh në çdo fazë të saj, përmbajta e anketës sociale si dhe marrja e saj pas kërkesës së prokurorit.
Në pjesën e fundit u zhvillua një anketë nga ana e trajnuesve për gjyqtarët dhe prokurorët pjesëmarrës të cilët identifikuan anët pozitive dhe ato negative të masave të disersitetit, ku si përfundim anët pozitive ishin të shumta andaj u potencua nevoja e shqiptimit më të shpeshtë të këtyre masave për qëllimin e zbatimit të parimit të interesit më të lartë të miturve.
Trajnimi u zhvillua përmes diskutimeve nga gjyqtarët dhe prokurorët pjesëmarrës lidhur me sfidat në praktikën aktuale, si dhe përmes rasteve dhe detyrave praktike për çështjet e shtjelluara.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët dhe prokurorët e nivelit themelor dhe të Apelit - Departamenti për të Mitur.
04-03-2015