Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

19-03-2015

Zhvillimi i shkathtësive gjyqësore

Më 19 mars 2015, Instituti Gjyqësorë i Kosovës ka mbajtur trajnim tre ditorë në temën “Zhvillimi i shkathtësive gjyqësore”.

Ky program trajnimi është realizuar me qëllim të ngritjes së shkathtësive praktike të gjyqtarëve dhe prokurorëve në përfaqësim dhe zhvillim të gjykimit posaçërisht duke marr parasysh edhe ndryshimet e fundit të Kodit të Procedurës Penale lidhur me mënyrën e marrjes në pyetje prezantimin e provave dhe udhëheqjen e shqyrtimit gjyqësor.

Në këtë trajnim fillimisht u trajtua marrja e drejtpërdrejtë në pyetje si një komunikim i rrjedhshëm dhe i qartë i temës së rastit dhe baza ligjore për teknikën e marrjes së drejtpërdrejt në pyetje duke përdorur pyetjet e arta të kriminalistikës më ç ‘rast u zhvillua simulim i marrjes së drejtpërdrejtë në pyetje nga pjesëmarrësit të ndarë në grupe punuese.

Po ashtu u trajtua  teknika e marrjes së tërthortë në pyetje si një mjet për marrje në pyetje nga pala tjetër me qëllim të prezantimit të fakteve të mira dhe vënia në pah të dobësive të palës tjetër. Baza ligjore, rregullat dhe udhëzimet për zbatim në praktikë të marrjes së tërthorët në pyetje po ashtu ishin pjesë e diskutimeve në këtë fazë të trajnimit. Gjithashtu edhe për këtë teknikë pjesëmarrësit u ndan në grupe dhe zhvilluan simulim të marrjes së tërthorët në pyetje.

Teknikë tjetër që u shtjellua ishte edhe vënia në dyshim ku u theksua rëndësia e vënies në dyshim vetëm të çështjeve të rëndësishme dhe deklaratave kontradiktore. Qëllimi dhe rregullat përdorimit të kësaj teknike, baza ligjore, hapat e vënies në dyshim dhe sfidat e zbatimit praktik të tyre po ashtu ishin pjesë e diskutimeve në këtë fazë të trajnimit. Edhe në këtë teknikë, pjesëmarrësit u ndanë në grupe punuese dhe realizuan simulimin e vënies në dyshim.

Rimarrja e drejtpërdrejtë në pyetje dhe rehabilitimi i dëshmitarit si një teknikë e re e cila është paraparë në Kodin e Procedurës Penale po ashtu u trajtua gjatë trajnimit. Pjesëmarrësit në këtë fazë kishin rastin të kuptojnë rimarrjen e drejtpërdrejtë në pyetje si një mundësi për t’iu kundërpërgjigjur marrjes së tërthorët në pyetje dhe të demonstrojnë si bëhet rimarrja në pyetje në praktikë.

Elaborimi i fjalës hyrëse dhe fjalës përfundimtare ishte gjithashtu në fokus të këtij trajnimi ku pjesëmarrësit kishin rastin të rrisin njohuritë e tyre lidhur me kuptimin, qëllimin, strukturën dhe mënyrën e fjalës hyrëse dhe asaj përfundimtare. Në këtë kontekst u trajtua edhe dallimi në mes të fjalës hyrëse dhe asaj përfundimtare. Gjithashtu edhe për këto dy teknika pjesëmarrësit u ndan në grupe punuese dhe përgatitën dhe demonstruan fjalën hyrëse dhe atë përfundimtare.

Në pjesën e fundit të trajnimit u zhvillua simulim gjykimi me qëllim të demonstrimit të përdorimit të këtyre teknikave në një gjykim.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët dhe prokurorët e nivelit themelor.

Shpërndaje :