Me 28.04.2015 Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit i Kuvendit të Republikës së Kosovës shqyrtoi raportin vjetor të Institutit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2014.
Drejtori i Institutit Gjyqësor të Kosovës prezantoi një përmbledhje të shkurtër në lidhje me aktivitetet e zhvilluara, të arriturat dhe sfidat e IGJK-së për vitin 2014. Si çështje të theksuara drejtori i IGJK paraqiti raportin lidhur me trajnimin e vazhdueshëm për gjyqtarë, prokurorë dhe staf administrativ të gjykatave dhe prokurorive, trajnimin fillestar të kandidateve për gjyqtarë dhe prokurorë, sistemin e zhvilluar për vlerësim të nevojave, ngritjen e metrologjisë trajnuese etj. Ndërsa në kuadër të sfidave të paraqitura gjatë vitit 2014 janë theksuar hartimi dhe zbatimi i programeve trajnuese, buxheti jo i mjaftueshëm, koordinimi i pjesëmarrjes, programi për hulumtime dhe publikime etj.
Me këtë rast Komisioni e vlerësoi raportin e IGJK të detajuar mirë, dhe nga anëtarët e Komisionit u kërkuan sqarime sidomos për nivelin e trajnimeve, vlerësimin, ndikimi i tyre në punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, procesi i vlerësimit të nevojave dhe përbërja e trajnuesve të IGJK-së. Të gjitha pyetjet e adresuara për Institutin Gjyqësor, Drejtori ju përgjigj në mënyrë të detajuar, profesionale dhe gjithmonë duke ju referuar të gjitha përvojave më të avancuara të zhvilluara nga IGJK si për programet trajnuese, vlerësimin e nevojave trajnuese si dhe sistemin e përzgjedhjes së trajnuesve.
29-04-2015