Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

14-06-2012

Vizitë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë-Luksemburg dhe në ERA-Bruksel

Në kuadër të aktiviteteve për zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtarë dhe me qëllim të avancimit të programeve trajnuese, një delegacion i IGJK-së më 13 dhe 14 qershor 2012 realizoi një vizitë zyrtare në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë në Luksemburg, si dhe në Bruksel në Akademinë për të Drejtën Evropiane (ERA) dhe Drejtorinë Gjenerale për Edukim dhe Kulturë në Komisionin Evropian.

Në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë delegacioni u prit nga z. Konraed Lenaerts, Kreytar i Dhomës së Gjykatës, z. Marko Ilesic dhe z. Miro Prek, Gjyqtar të Gjykatës, znj. Verica Trstenjak, Avokat Gjeneral në Gjykatë si dhe z. J. Kuerten, Administrator Kryesor në Drejtorinë e Librarisë së gjykatës. Ata e njoftuan delegacionin e IGJK-së me punën e gjykatës e veçanërisht për mundësitë që gjykata në të ardhmen të vendos komunikim dhe bashkëpunim edhe me IGJK-në me qëllim të mbështetjes me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Ata po ashtu njoftuan delegacionin me sfidat që kanë kaluar shtetet anëtare në reformën gjyqësore në rrugën e tyre për integrimin evropian.Delegacioni nga IGJK, njoftoi përfaqësuesit e gjykatës për zhvillimet në sistemin gjyqësor në Kosovë veçanërisht në fushën e arsimimit ligjor të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe përpjekjet e IGJK-së që e Drejta e BE-së (Acquis Communitaire) dhe praktika e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë të integrohet në të gjitha programet trajnuese.

Më tej delegacioni i IGJK-së pati rastin që të përcjellë nga afër një seancë dëgjimore në Gjyaktën Evropiane të Drejtësisë dhe të vizitojë Librarinë e Gjykatës. 

Takimet në Bruksel filluan me takimin në Drejtorinë Gjenerale për Edukim dhe Kulturë në Komisionin Evropian. Delegacioni u prit nga znj. Leonor Wiesner, Zyrtare për Politika në Programin Jean Monnet. Ajo njoftoi delegacionin lidhur me objektivat e programit Jean Monnet, përgatitjet për transformimin e këtij programi, ndërsa në takim u diskutuan edhe mundësitë për bashkëpunim në të ardhmen të këtij programi me IGJK-në.

Takimi vazhdoi në Akademinë për të Drejtën Evropiane (ERA). Aty delegacioni i IGJK-së u takua me znj. Kerstin Hotzel, udhëheqëse e zyrës së ERA në Bruksel. Gjatë këtij takimi u diskutua për mundësitë e mbështetjes nga ERA të programeve trajnuese dhe aktiviteteve të IGJK-së lidhur me të Drejtën e BE-së dhe mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen.

Shpërndaje :