Më 05-06 nëntor 2015, në kuadër të Programit të Trajnimit të Vazhdueshëm, IGJK me mbështetjen nga UNICEF-i, ka realizuar trajnim dy ditorë me temë “Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve në rastet e ndryshimit të statusit të tyre si dhe në rastet e dhunës në familje”, që është sesioni i tretë i trajnimit për modulin Drejtësia për Fëmijë - aspekti civil.
Ky trajnim kishte për qëllim të kontribuoj në thellimin e njohurive teorike dhe praktike të gjyqtarëve pjesëmarrës, lidhur me interpretimin dhe zbatimin e drejtë të dispozitave ligjore që kanë të bëjnë me procedurën e kundërshtimit dhe procedurën e njohjes së atësisë dhe amësisë, si dhe rolin e gjykatës dhe organit të kujdestarisë në lëshimin e urdhër mbrojtjeve përkatëse, në drejtim të mbrojtjes së interesit më të mirë të fëmijës në rastet e ndërrimit të statusit të tyre dhe rastet e dhunës në familje.
Trajnimi kishte në fokus temat si statusi i fëmijës dhe vërtetimi i statusit martesor, fëmijët martesor dhe jashtëmartesor, mënyrat e vërtetimit të marrëdhënieve prindërore jashtëmartesore, pasojat për fëmijën në rastet e kundërshtimit të atësisë dhe amësisë dhe efektet juridike të njohjes së atësisë dhe amësisë në procedurë gjyqësore. Gjithashtu në kuadër të këtij trajnimi u shtjelluan dhe të drejtat e fëmijëve në rastet e dhunës në familje, llojet e urdhër mbrojtjeve dhe masave mbrojtëse kundër dhunës në familje të cilat mund ti caktoj gjykata.
Metodologjia e zhvilluar në këtë trajnim ishte e kombinuar me ligjërim teorik, raste dhe detyra praktike dhe diskutime për problemet dhe sfidat që hasen në praktik.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë pranë gjykatave themelore si dhe zyrtarë nga Qendra për Punë Sociale.
06-11-2015