Me 20 nëntor 2015, në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme, IGJK në bashkëpunim me KPMG, mbështetur nga BERZH, ka realizuar trajnimin me temë “Procedurat e falimentimit në vendet në tranzicion – Eksperienca e Bullgarisë”.
Ky trajnim u organizua me qëllim që të kontribuoj në identifikimin e fushave problematike, zhvillimin e praktikave më të mira si dhe shkëmbimin e përvojave nga vendet me eksperiencë siç është Bullgaria, të cilat do t’i shërbenin ngritjes së kapaciteteve të gjyqtarëve, në mënyrë që t’iu mundësoj atyre të merren më efektivisht me çështjet e falimentimit.
Diskutimet në këtë trajnim u fokusuan në elaborimin e kornizës së përgjithshme të falimentimit, procedurave dhe vendimeve, falimentimit ndërkufitar në kuadër të Rregullores së Këshillit 1346/2000 (BE) dhe Rregullores së re 2015/848 (BE). Në kuadër të këtij trajnimi po ashtu u diskutua për rregullat e unifikuara të zbatueshme në territorin e BE-së në rast të procedurave të falimentimit me elemente ndërkufitare si dhe për gjykatën e juridiksionit, me theks të veçantë specifikat e sistemit gjyqësor në Bullgari.
Trajnuesja e angazhuar për këtë trajnim ishte eksperte nga Bullgaria dhe prezantoi përvojat dhe praktikat që zhvillohen në vendin e saj nëpërmjet rasteve studimore si dhe detyrave për pjesëmarrësit.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, gjyqtarë nga Gjykata e Apelit dhe nga niveli Themelor, si dhe administratorë falimentues.
20-11-2015