Më 10 dhjetor 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës në kuadër të PTV, ka realizuar trajnimin me temë “Aspektet Civile të Rrëmbimit Ndërkombëtar të Fëmijës”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte njohja dhe thellimi i njohurive të gjyqtarëve me Konventën mbi Aspektet Civile të Rrëmbimit Ndërkombëtar të Fëmijës si dhe me legjislacionin vendor që rregullon çështjen e rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijës dhe procedurën e kthimit sa më të shpejtë të fëmijës në shtetin kërkues si dhe zhvillimi i aftësive analitike për zbatimin e ligjit vendor në pajtim me standardet ndërkombëtare.
Në këtë trajnim u trajtuan çështjet e largimit apo mbajtja pa të drejtë e fëmijës, kushtet për tu konsideruar rrëmbim ndërkombëtar i fëmijës, organet kompetente për zhvillimin e procedurës së kthimit të fëmijës, roli i Ministrisë së Drejtësisë, Policisë së Kosovës, Qendrës për Punë Sociale dhe procedura e kthimit vullnetar të fëmijës.
Në sesionin e pasdites është trajtuar roli i Gjykatës Themelore në Prishtinë sa i përket rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijës, fillimi i procedurës gjyqësore para gjykatës kompetente, masat e përkohshme, rastet kur përjashtohet urdhri për kthim dhe ekzekutimi i vendimit për kthimin e fëmijës. Në pjesën e fundit janë trajtuar masat e përkohshme të cilat mund të lëshohen me qëllim të sigurimit të kthimit të fëmijës si dhe rastet kur gjykata mund të refuzoj kthimin e fëmijës në shtetin kërkues.
Gjatë këtij trajnimi u aplikuan metoda të shpjegimit të pjesshëm teorik duke u bazuar në raste me shembuj konkret, diskutime dhe debat interaktiv, komente, shënime, shembuj praktik mbi parimet dhe rregullat kryesore të Konventës së Hagës mbi Aspektet Civile të Rrëmbimit Ndërkombëtar të Fëmijës dhe të Ligjit për Aspektet Civile të Rrëmbimit Ndërkombëtar të Fëmijës të Kosovës, për çështjet që kanë të bëjnë me kthimin e fëmijës.
Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarë të departamenteve të përgjithshme (divizioneve civile dhe penal) të Gjykatave Themelore dhe prokurorë të Departamentit për të Mitur nga Prokuroritë Themelore.
10-12-2015