Më 16 dhjetor 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me Thomson Foundation ka realizuar trajnimin me temë “Qasja në dokumente publike: Praktikat vendore dhe standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Trajnimi kishte për synim avancimin e njohurive të pjesëmarrësve lidhur me bazën ligjore vendore dhe ndërkombëtare për qasje në dokumente publike si dhe njohjen me praktikat vendore dhe ato ndërkombëtare sa i përket transparencës së institucioneve publike.
Fillimisht në këtë trajnim u elaboruan praktikat e shoqërisë civile dhe mediave në Kosovë, vështirësitë që hasin gazetarët dhe publiku për qasje në informata, bazuar në hezitimin e institucioneve për të ofruar qasje në dokumente që konsiderohen publike si dhe të drejtat dhe përgjegjësitë që parasheh Ligji për Qasje në Dokumente Publike në Kosovë. Në këtë kuadër u trajtua forma e parashtrimit të kërkesës dhe afatet ligjore për kthim të përgjigjes nga ana e institucioneve.
Më tej, në këtë trajnim u trajtuan standardet dhe praktikat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për qasje në dokumente publike. Në këtë kontekst u prezantuan raste të ndryshme të referuara në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Pjesëmarrësit u ndanë në grupe punuese dhe trajtuan një rast studimor.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë, avokatë, anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, anëtarë të Këshillit të Mediave të Shkruara, KIPRED dhe përfaqësues nga BIRN.
16-12-2015