Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

02-03-2016

Dënimet Alternative në Kosovë

IGJK në bashkëpunim me Projektin e Binjakëzimit të BE-së për Përforcimin e shërbimeve sprovuese dhe korrektuese në Kosovë ka realizuar dy (2) trajnime me temë “Dënimet Alternative në Kosovë”.

Më 29 shkurt-01 mars 2016, është realizuar trajnimi për grupin e parë të përfituesve, ndërsa më 02-03 mars 2016, është realizuar trajnimi për grupin e dytë.

Trajnimi kishte për synim të forcojë më tutje përdorimin efektiv dhe efikas të dënimeve alternative në Kosovë nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërtimin e kapacitetit dhe aplikimin e praktikave më të mira të BE-se brenda strukturave relevante në Kosovë.

Fillimisht në këtë trajnim,  u prezantua qasja gjermane dhe krahasimi me të drejtën në Kosovë, statistika nga praktika së sanksionimit me dënimet alternative dhe recidivizmi në Gjermani. Më tej u prezantua roli dhe funksioni i Shërbimit Sprovues të Kosovës, baza ligjore, struktura organizative,  si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Shërbimi Sprovues i Kosovës në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij. Në kontekst të kësaj, u paraqitën statistika rreth shqiptimit të dënimeve alternative në Kosovës me detyrim sprovues.

Më tej u elaboruan dënimet alternative, llojet, kushtet dhe rrethanat që duhet marr parasysh për shqiptimin e tyre, si dhe efektet pozitive të zbatimit efikas të këtyre dënimeve.

Me theks të posaçëm u diskutua lidhur me dënimin me kusht dhe urdhrin për punë në dobi të përgjithshme si sanksione që shqiptohen më së shumti, në nivel vendi, kushtet e parapara ligjore për caktimin e tyre, si dhe revokimi dhe afatet për revokimin e tyre. Gjithashtu u shtjelluan edhe gjysmëliria, si lloj i dënimeve alternative, me ç’ rast u potencua që ky lloj sanksioni alternativ shqiptohet shumë pak në Kosovë, përkundër efekteve pozitive të tij.

Përfitues të këtyre trajnimeve ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor si dhe zyrtarë nga Shërbimi Sprovues të Kosovës.

Shpërndaje :