Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

22-04-2016

Pronësia

Më 22 prill 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me Zyrën e Këshillit të Evropës në Prishtinë përmes projektit “Mbështetje në zbatimin e standardeve evropiane të të drejtave të njeriut  dhe reformën e Institucionit të Ombudspersonit”, ka realizuar trajnimin me temë “Pronësia”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte thellimi i njohurive të gjyqtarëve me legjislacionin në fuqi e veçmas trajtimi i të drejtës së pronësisë dhe mbrojtjes së saj për shkak të problemeve të trashëguara në këtë lëmi. Kjo tematikë ishte me rendësi për gjyqtarët për shkak të ndryshimeve dhe reformave në legjislacion dhe kërkesat që përmbajnë ato.

Gjatë trajnimit u trajtuan mënyra origjinere dhe derivative e fitimit të pronësisë, risitë që sjell Ligji për Pronësinë dhe Drejtat tjera Sendore lidhur me mënyrat e fitimit të drejtës së pronësisë, autorizimet dhe kufizimet e pronarit dhe regjistrimi i të drejtës së pronësisë, duke u shoqëruar me raste nga praktika gjyqësore.

Gjithanshëm u trajtuan edhe standardet e përcaktuara me Nenin 1 të Protokollit 1 të KEDNJ-së dhe jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të gjitha këto duke u shoqëruar me raste nga praktika e saj në lëmin e pronësisë.

Trajnimi u fokusua edhe në elaborimin e dilemave që paraqiten në praktikën e gjykatave lidhur me mënyrat e fitimit të pronësisë me theks të veçantë lidhur me fitimin e drejtës së pronësisë në bazë të parashkrimit fitues. Me metodat krahasuese u zbërthyen mënyrat derivative dhe origjinere të fitimit të pronësisë sipas ligjit në fuqi dhe akteve tjera ligjore.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarë të Gjykatave themelore dhe të Gjykatës së Apelit, bashkëpunëtorët profesional në gjykata dhe zyrtarë ligjore nga Zyra e Avokatit të Popullit.

Shpërndaje :