Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

02-06-2016

Krimet e luftës me fokus në dhunën seksuale

Më 01-02 qershor 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me EULEX dhe UNWOMEN ka organizuar sesionin II të trajnimit me temë “Krimet e luftës me fokus në dhunën seksuale”.

Trajnimi u organizua me qëllim të avancimit të mëtejmë të njohurive dhe përgatitjes profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe profesionistëve tjerë rreth elementeve dhe çështjeve që kanë të bëjnë me krimet e dhunës seksuale dhe ndjekjes penale të suksesshme bazuar në rrethanat aktuale në Kosovë.

Në kuadër të këtij sesioni trajnues, u elaborua ligji i aplikueshëm në Kosovë përfshirë dhe legjislacionin penal ndërkombëtar, elementet e zakonshme dhe specifike të dhunimit si krim lufte, mënyra e mbledhjes së fakteve, modalitet e qasjes në informata dhe kompleksiteti i procesit të arritjes deri te të akuzuarit, kryerës të krimeve të dhunës seksuale në Kosovë, gjatë konfliktit të armatosur. Trajnimi kryesisht u fokusua në ushtrime grupore, me ç’ rast pjesëmarrësit e ndarë në grupe, u angazhuan në përgatitje të rasteve në lidhje me identifikimin e elementeve specifike, kategorisë së krimeve, formës së përgjegjësisë si dhe ndërlidhjen e këtyre elementeve.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë të nivelit themelor, prokurorë të nivelit themelor dhe atij special si dhe hetues policor nga Departamenti për Krime Lufte në Policinë e Kosovës. 

Shpërndaje :