Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

21-07-2016

Shqyrtimi fillestar dhe i dytë

Më 21 korrik 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës në mbështetje të OSBE-së, ka organizuar trajnimin me temë “Shqyrtimi fillestar dhe i dytë”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte që të trajtoj dilemat dhe vështirësitë praktike me rastin e aplikimit të dispozitave ligjore që i referohen shqyrtimit fillestar dhe shqyrtimit të dytë në drejtim ofrimit të alternativave për situata të ndryshme me të cilat mund të ballafaqohen gjyqtarët në këtë fazë të procedurës.

Në kuadër të këtij trajnimi u elaboruan karakteristikat e shqyrtimit fillestar dhe të dytë, zhvillimi dhe rrjedhja e procedurës, roli i gjyqtarit dhe prokurorit në shqyrtimin fillestar dhe të dytë. Fokusi kryesor i trajnimit ishte shtjellimi i çështjeve dhe rrethanave praktike si; ftesa për palët e dëmtuara në shqyrtimin fillestar, vlerësimi paraprak i aktakuzës, rrethanat kur caktohet apo jo data e shqyrtimit kryesor duke pritur vendimin mbi ankesat e mundshme pranë Gjykatës së Apelit dhe pranimi i marrëveshjes së pranimit të fajësisë në shqyrtimin fillestar.

Me tej u shtjelluan rastet e kundërshtimit të provave si të papranueshme, të panevojshme, dhe të parëndësishme dhe e drejta e palëve dhe të dëmtuarit që deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, mund të propozojnë shqyrtimin e fakteve të reja dhe mbledhjen e provave të reja.

Metodologjia e aplikuar në këtë trajnim ishte e karakterit interaktiv në çdo fazë të tij, ku pjesëmarrësit në vazhdimësi shprehën vështirësitë dhe konfuzionet që hasin në praktikën gjyqësore aktuale.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor nga regjioni i Gjakovës, Pejës dhe Prizrenit. 

Shpërndaje :