Më 05 maj 2017, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit të Trajnimit të Vazhdueshëm, ka realizuar trajnimin me temë “Renta, llojet dhe caktimi i saj”.
Ky trajnim kishte për qëllim që gjyqtarët e fushës civile të avancojnë njohuritë e tyre lidhur me rentën dhe zbatimin e drejtë të dispozitave ligjore që lidhen me atë.
Në pjesën e parë të këtij trajnimi u trajtua kuptimi i rentës dhe kushtet që duhet të plotësohen për këtë kategori të dëmit dhe përfituesit e rentës. Ndërsa në pjesën e dytë të trajnimit, u trajtuan mënyrat e vlerësimit, caktimi i lartësisë dhe format e realizimit të rentës dhe raste nga praktika gjyqësore.
Gjithashtu gjatë trajnimit, u trajtua edhe zbatimi i drejtë i dispozitave të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve (LMD), që rregullojnë llojet e dëmit me theks të veçantë për rentën, kushtet që duhet të plotësohen për këtë kategori të dëmit, përfituesit e rentës, mënyrën e vlerësimit, caktimi i lartësisë dhe format e realizimit të rentës.
Tematika e shqyrtuar ishte me interes duke marr parasysh se në praktikën gjyqësore paraqiten kontestet e shpeshta për shkak të shpërblimit të dëmit dhe njëra prej kategorive të dëmit material është edhe renta. Renta si formë e shpërblimit të dëmit shpeshherë përbën sfidë për gjykatën në kuptimin e të vlerësuarit për nevojat e caktimit të rentës dhe në kuptim të caktimit të vëllimi të saj. Përveç kësaj, sfiduese paraqitet edhe mënyra e të provuarit dhe forma e caktimit të saj.
Në trajnim u përdoren metoda të kombinuara të shpjegimit duke përfshirë shpjegime teorike dhe praktike të përcjella me shembuj nga praktika gjyqësore.
Përfitues ishin gjyqtarë të Gjykatës së Apelit, gjyqtarë të divizioneve civile të gjykatave themelore si dhe bashkëpunëtorë profesional.
05-05-2017