Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

26-05-2017

Konfiskimi ndërkufitar i pasurive

Më 25-26 maj 2017, Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me projektin “Bashkëpunimi Juridik Ndërkombëtarë në Drejtësinë Penale” i financuar nga BE-ja, i zbatuar nga Rrjeti Prokurorëve të Ballkanit Perëndimor, ka realizuar punëtorinë e tretë me radhë me temë “Konfiskimi ndërkufitar i pasurive”.

Në fokus të kësaj punëtorie ishte korniza ligjore vendore dhe ndërkombëtare lidhur me administrimin dhe caktimin e pasurive të marra apo të konfiskuara me element ndërkombëtarë, përfshirë edhe metodologjinë e cila përdoret për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale.

Fillimisht nga ana e trajnuesit vendor, u prezantua një pasqyrë e gjendjes aktuale të konfiskimit të pasurive në Kosovë, për të vazhduar më tutje nga trajnuesit ndërkombëtar elaborimin mbi zhvillimet në fushën e veprave ndërkufitare dhe konfiskimit, struktura dhe teksti i kërkesave të jashtme për ngrirjen dhe konfiskimin e pasurive, si dhe çështjet e konfiskimit në rastet e mos-dënimit. Gjithashtu, me theks të veçantë u trajtua Ligji Nr.04/L-140 për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së Përfituar me Vepër Penale, praktikat e deritanishme dhe vështirësitë e zbatimit të këtij ligji në praktikë, si dhe dallimet e kompetencave të zgjeruara mes legjislacionit vendor dhe atij gjerman, me qëllim të unifikimt të praktikave për rastet e konfiskimit të pasurive.

Punëtoria është zhvilluar përmes pjesës teorike dhe analizimit të rasteve nga praktika, si dhe punës në grupe të pjesëmarrësve.

Përfitues të kësaj punëtorie ishin gjyqtarë të Gjykatës së Apelit, gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor dhe zyrtarë nga Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës dhe Njësia e Inteligjencës Financiare.

Shpërndaje :