Më 12 korrik 2023 në Akademi të Drejtësisë është realizuar takimi i përbashkët mes përfaqësuesve të dy institucioneve z. Enver Fejzullahu-Drejtori Ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë dhe z. Enver Krasniqi – zv. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar.
Qëllimi i këtij takimi ishte fuqizimi edhe më tej i bashkëpunimit ndërinstitucional në çështjet me interes të përbashkët dhe konkretizimi i saj përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes institucioneve përkatëse.
Gjatë takimit u diskutua për bashkërendimin e aktiviteteve në përmbushje të veprimtarisë sipas Ligjit për Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar dhe Ligjit për Akademinë e Drejtësisë.
Në fund të takimit z. Fejzullahu dhe z. Krasniqi nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet të dy institucioneve përmes të cilës do të shkëmbehen informatat dhe do të realizohen aktivitete të përbashkëta në fushën e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive të krijuara në mënyrë të kundërligjshme dhe administrimin e tyre sipas ligjeve. Përmes kësaj marrëveshje zyrtarët e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar do të përfitojnë nga Programet trajnuese të AD-së dhe veçanërisht në trajnimet e përbashkëta me gjyqtarë dhe prokurorë në çështjet ligjore që janë kompetencë e punës së tyre.
12-07-2023