Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

09-06-2017

Kursi Hyrës – Moduli 1

Me 05-09 qershor 2017, Akademia e Drejtësisë ka organizuar trajnimin pesë ditor për pjesëtarët e sapoemëruar të administratës së gjykatave dhe prokurorive “Kursi Hyrës – Moduli 1”.

Ky trajnim hyrës duke u fokusuar në fushat më të rëndësishme, kishte për qëllim ndërtimin e kapaciteteve profesionale të pjesëmarrësve, me theks të veçantë në performancën e tyre praktike të përditshme për nxitjen e cilësisë së shërbimeve të ofruara në përputhje me politikat, standardet e aplikueshme dhe me kërkesat ligjore.

Në kuadër të këtij moduli trajnues janë trajtuar etapat e zhvillimit historik të reformës gjyqësore dhe asaj prokuroriale pas vitit 1999, ndryshimet legjislative lidhur me funksionimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, dispozitat kushtetuese dhe legjislacionin në fuqi lidhur me sistemin gjyqësor dhe prokurorial në Republikën e Kosovës si dhe struktura aktuale e gjykatave dhe prokurorive si dhe kompetencat e tyre në Republikën e Kosovës. Gjithashtu janë trajtuar dokumentet zyrtare, parimet dhe rregullat e Kodit të Etikës dhe sjelljes profesionale për stafin administrativ të gjykatave dhe prokurorive, shërbimet e orientuara në cilësi në shërbim të qytetarëve, si dhe planifikimi, menaxhimi i kohës dhe stresit gjatë ushtrimit të detyrave të punës.

Metodologjia e aplikuar në trajnim ishte e kombinuar me shpjegime teorike dhe qasje interaktive që ishin të përshtatshme dhe nxitën pjesëmarrësit të zhvillojnë debat dhe të paraqesin sfidat që kanë hasur në praktikë.

Përfitues të këtij trajnimi ishin pjesëtarët e sapoemëruar të administratës së gjykatave dhe prokurorive të pozitave të ndryshme si: bashkëpunëtor profesional, zyrtar ligjor, zyrtar për buxhet dhe financa, referent dhe zyrtar tjerë.
 

 

Shpërndaje :