Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

23-01-2018

Shqyrtimi kryesor dhe marrja e provës

Më 23 janar 2018, Akademia e Drejtësisë në kuadër të PTV, ka realizuar trajnimin me temë “Shqyrtimi kryesor dhe marrja e provës”. Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me shqyrtimin kryesor dhe marrjen e provës, si fazë e rëndësishme e procedurës kontestimore.

Në këtë trajnim gjyqtarët arritën të avancojnë shkathtësitë për mbajtjen e shqyrtimit kryesor; të identifikojnë mjetet provuese në procedurën civile, të vlerësojnë faktet që duhet të provohen dhe ato që nuk duhet të provohen në procedurën civile, përfshirë këtu edhe autorizimet e gjykatës se kur mund të marrë prova zyrtarisht (ex officio), të zbatojnë drejtë dispozitat ligjore lidhur me kohën e propozimit dhe paraqitjes së provave si dhe barrën e të provuarit.

Në trajnim gjithashtu u konkludua se shqyrtimi kryesor është faza më e rëndësishme e procedurës kontestimore. Kjo fazë është pjesa qendrore e tërë procedurës kontestimore në të cilën bëhet edhe marrja e provave për të vendosur meritorisht në një çështje konkrete, siç përcaktohet me Ligjin e Procedurës Kontestimore, për obligimet e palëve ndërgjyqëse që të provojnë faktet mbi të cilat i bazojnë kërkesat dhe pretendimet e veta. Në të provuarit përfshihen të gjitha faktet që janë të rëndësishme për dhënien e vendimit, ndërsa gjykata vendos se cilat prova do të merren me qëllim të vërtetimit të fakteve vendimtare.

Në hollësi u sqaruan dilemat të cilat po i përcjellin gjyqtarët në praktikë duke zbërthyer procedurën e cila zhvillohet nga gjykata në shqyrtimin kryesor, marrjen e provave apo mënyrën e të provuarit, sepse në praktikë ka vështirësi lidhur me atë se si duhet të zhvillohet procedura e të provuarit, dhe kur gjykata është e autorizuar që t’i marrë edhe provat që nuk i kanë propozuar palët, po që se konstaton se palët tentojnë të disponojnë me kërkesa me të cilat nuk kanë të drejtë të disponojnë.

Në trajnim u përdoren metoda të kombinuara të shpjegimit, duke përfshire shpjegime teorike dhe të përcjella me shembuj praktik.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e gjykatave themelore dhe të Gjykatës së Apelit (divizioni civil) si dhe bashkëpunëtorët profesional të gjykatave.

Shpërndaje :