Më 15-16 shkurt 2018, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme, realizoi sesionin e parë të trajnimit me temën “Program i Specializuar trajnimi për Prokurimin Publik në Kosovë”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive profesionale të pjesëmarrësve në planifikimin e hetimit, përmbajtjen e planit të hetimit, ndjekjes, identifikimit të burimeve të informacionit si dhe grumbullimi i provave në mënyrë që hetimi dhe gjykimi i rasteve të keqpërdorimeve kur kemi të bëjmë me veprat penale të kryera nëpërmjet prokurimit publik të trajtohen në mënyrë profesionale dhe efikase.
Gjatë këtij sesioni trajnues dy ditorë është trajtuar legjislacioni pozitiv rreth prokurimit publik, procedurat dhe fazat e prokurimit publik si dhe identifikimi i indikatorëve të korrupsionit që lidhen me prokurimin publik. Vëmendje parësore iu kushtua legjislacionit primar dhe sekondar që rregullon këtë fushë, procedurat e prokurimit publik dhe mënyra e funksionimit të platformës së prokurimit publik elektronik.
Në këtë kontekst u elaboruan rregullat për specifikimet teknike dhe dosja e tenderit, përpilimi i dosjes së tenderit dhe procesi i vlerësimit të një tenderi, njoftimi, nënshkrimi dhe ekzekutimi i kontratave publike. Trajnimi u fokusua në elaborimin e skemave korruptive dhe problemeve të ndërlidhura me mashtrim, falsifikim, skemat e kurdisjes së ofertave si dhe faktorët që ndikojnë në paraqitjen e këtyre veprave penale të korrupsionit në prokurimin publik.
Trajnimi u zhvillua në formë të diskutimeve interaktive, ku pjesëmarrësit kishin mundësinë të paraqesin sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen në praktikë.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor nga të gjitha regjionet e Kosovës.
16-02-2018