Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

27-04-2018

Çështjet e provave lidhur me ndjekjen penale të veprave që ndërlidhen me terrorizmin: Analiza e rasteve specifike dhe ndarja e praktikave të mira mbi forenzikën digjitale, përdorimin e internetit dhe shndërrimin e informatave të zbuluara në prova

Më 26 dhe 27 prill 2018, Akademia e Drejtësisë  në bashkëpunim me EULEX-in, në kuadër të Programit të Trajnimit të Vazhdueshëm, realizoi trajnimin me temë “Çështjet e provave lidhur me ndjekjen penale të veprave që ndërlidhen me terrorizmin: Analiza e rasteve specifike dhe ndarja e praktikave të mira mbi forenzikën digjitale, përdorimin e internetit dhe shndërrimin e informatave të zbuluara në prova”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të pjesëmarrësve lidhur me grumbullimin e provave në procedurën penale, kur kemi të bëjmë me veprat penale të terrorizmit si dhe format e bashkëpunimit ndërkombëtarë për zbulimin, hetimin dhe gjykimin e këtyre veprave penale që paraqesin kërcënim jo vetëm për shtetin por edhe më gjerë.

Gjatë trajnimit dy ditor u trajtua korniza ligjore ndërkombëtare që ka të bëj me terrorizmin, forenzika digjitale, dhe përdorimi i internetit në hetimin e rasteve të terrorizmit, duke përfshirë bashkëpunimin juridik ndërkombëtarë që paraqitet si nevojë, meqë krimi i ka tejkaluar kufijtë e brendshëm dhe ka marrë dimension ndërkombëtarë.

Për shkak të rrethanave në të cilat sot gjendet shoqëria njerëzore, sidomos për shkak të aktiviteteve terroriste, zgjerimit të mundësive që kanë kryesit e veprave penale për tejkalim të kufijve, gjyqtarët dhe prokurorët duhet të njihen me praktikat efikase të shndërrimit të informatave të inteligjencës në prova rreth përgjimeve të ligjshme për qëllime të sigurisë, si dhe të shkëmbimit të informacionit ndërmjet autoriteteve gjyqësore dhe kompanive private (ofruesve të shërbimeve të internetit) për sigurimin e ligjshëm të provave.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor, nga regjione të ndryshme të Kosovë.

Shpërndaje :