Më 12 qershor 2018, Akademia e Drejtësisë, bazuar në kërkesën Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, në mbështetje të UNDP-së ka vazhduar trajnimin e gjashtë me radhë për zyrtarët e këtij institucioni me temë: “Procedura jokontestimore”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte zbatimi i drejtë i Ligjit të Procedurës Jokontestimore nga ana e zyrtarëve që ofrojnë ndihmë juridike falas.
Gjatë këtij trajnimi u trajtuan dispozitat e përgjithshme të Ligjit të Procedurës Jokontestimore, shpallja e zhdukjes së një personi, procedura e shpalljes së vdekjes së një personi, procedura e të provuarit të vdekjes, caktimi i lartësisë së kompensimit për paluajtshmërinë e eksproprijuar, rregullimi i mezhdës, ndarja fizike si dhe e drejta e trashëgimisë dhe procedura e shqyrtimit të trashëgimisë.
Gjatë trajnimit kishte diskutime të shumta me theks te bashkëpunimi me qendrat sociale, organin e kujdestarisë meqë këto ishin rastet më të shumta ku zyrtarët e ndihmës juridike ballafaqohen në punën e përditshme.
Përfitues në këtë trajnim ishin zyrtarët e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas nga Prishtina, Gjilani, Ferizaj, Gjakova, Mitrovica, si dhe Podujeva. Përveç tyre ishin edhe pjesëmarrës nga OJQ si CRPK, CLARD dhe Femrat Aktive të Gjakovës si dhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit.
12-06-2018