Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

11-07-2018

Kontrata nga Prokurimi Publik

Më 10-11 korrik 2018, Akademia e Drejtësisë e përkrahur nga GIZ, “Projekti për Reformë Ligjore dhe Administrative” organizoj trajnimin me temë: “Kontrata nga Prokurimi Publik”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me kontratën dhe procedurën e prokurimit publik, standardet ndërkombëtare, evropiane dhe praktikat e mira në këtë lëmi.

Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan temat si: rëndësia e prokurimit publik, procedura e tenderimit dhe lidhja e kontratës. Ndërsa në pjesën e dytë u trajtuan temat lidhur me të drejtat e detyrimet e palëve pas lidhjes së kontratës, administrimi i kontratës dhe përzgjedhja e organit mbikëqyrës, pranimi i punëve dhe kompensimi, problematikat që paraqiten gjatë fazës së implementimit të kontratës, trajtimi i punëve që tejkalojnë kontratën dhe kompensimi i tyre, punët shtesë, punët e domosdoshme dhe ndryshimet e tyre.

Në vazhdim të trajnimit u potencua se procesi i prokurimit publik në Republikën e Kosovës është i rregulluar tani me Ligjin për Prokurimin Publik në fuqi i cili ka për qëllim të siguroj mënyrën efikase, transparente dhe të drejtë të shfrytëzimit të fondeve publike, burimeve publike si dhe të gjitha fondeve e burimeve të tjera të autoriteteve kontraktuese në Republikën e Kosovë duke përcaktuar kushtet dhe rregullat që do të zbatohen, procedurat që do të ndiqen, të drejtat dhe detyrimet që do të përmbushen nga personat, operatorët ekonomik, ndërmarrjet, autoritetet kontraktuese, koncesionerët e punëve dhe organet publike që zhvillojnë, përfshihen, marrin pjesë ose interesohen, në aktivitetet e prokurimit ose që përfshihen ose kanë të bëjnë me fondet dhe burimet e tilla.

Gjithashtu në këtë trajnim u konkludua se sa i përket konfliktit administrativ, ai mund të zhvillohet vetëm kundër aktit administrativ, prandaj objekt i konfliktit administrativ është çështja e ligjshmërisë së aktit administrativ i cili atakohet me padi. Në rastin konkret objekt i konfliktit administrativ është vendimi i OSHP-së, që do të thotë se konflikti administrativ mund të fillohet kundër aktit administrativ të nxjerrë nga OSHP-ja, si vendim përfundimtar administrativ.

Në vazhdim u veçua mendimi se sipas dispozitave të Ligjit për Konflikte Administrative, ligjshmëria e aktit administrativ të kontestuar shqyrtohet nga gjykata brenda kufijve të kërkesës nga padia, por nuk obligohet nga shkaqet e padisë. Gjersa për nulitetin e aktit administrativ gjykata përkujdeset sipas detyrës zyrtare.  Për shkak të rëndësisë së pasojave të këtyre akteve administrative LKA e detyron gjykatën që sipas detyrës zyrtare të vlerësoj nulitetin e aktit administrativ, pavarësisht se këtë fakt e ka theksuar apo jo paditësi.

Gjatë trajnimit pjesëmarrësit patën mundësi që përmes materialit të ofruar nga trajnuesit, diskutimeve, analizës së rasteve, t’i zbërthejnë drejtë dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik dhe t’i adresojnë dilemat dhe vështirësitë që hasen në praktikën gjyqësore aktuale. Gjithashtu u përdoren edhe metoda e shpjegimit të pjesshëm teorik dhe raste nga praktika gjyqësore dhe mënyra e vendosjes së tyre.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e Gjykatës së Apelit dhe gjyqtarët e Gjykatave Themelore, prokurorët e Prokurorive Themelore dhe të Apelit.

Shpërndaje :