Më 18 mars 2019 Akademia e Drejtësisë organizoj trajnimin me temë: “E drejta e mbrojtjes së pronës - Neni 1 i Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (KEDNJ)”. Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve lidhur me të drejtën e respektimit të pronës dhe mbrojtjes së saj konform standardeve që përmban KEDNJ dhe praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg.
Me rastin e këtij trajnimi u trajtuan nocionet themelore që përmban Neni 1 i Protokollit Nr.1 i KEDNJ, roli i së drejtës për respektimin e pasurisë së individit dhe mundësia e privimit nga kjo e drejtë për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuar nga ligji, si dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare. Po ashtu u trajtuan kushtet për ndërhyrjen në të drejtën e pronës për arsye të interesit publik dhe standardet dhe kriteret për kompensim për privimet nga prona në kontekst të neni 1 të Protokollit nr.1 të KEDNJ dhe praktikës së GJEDNJ.
Trajnimi u përqendrua në shpjegimin e ndërhyrjes së domosdoshme në një shoqëri demokratike nga ana e autoriteteve kombëtare konform KEDNJ. Fokusi ishte edhe në shpjegimin e nocioneve dhe kategorive që përmban neni 1. i Protokollit 1, si dhe mënyra e interpretimit që bën GJEDNJ. Zbërthimi i të drejtave që përmbahen në këtë nenë të këtij Protokolli është i domosdoshëm për të kuptuar nocionet dhe mënyrën e interpretimit që bënë GJEDNJ.
Në vazhdim u potencua se Kushtetuta e Republikës së Kosovës shprehimisht e garanton të drejtën e pronësisë (neni 46) e kështu pacenueshmëria e së drejtës së pronës është pjesë përbërëse e vlerave të rendit kushtetues-juridik të Republikës së Kosovës dhe njëri nga parimet themelore për interpretimin e Kushtetutës. Edhe Ligji i Pronësisë dhe të Drejtave Tjera Sendore - nr 03/L-154 në nenin 1 përcakton krijimin, përmbajtjen, bartjen, mbrojtjen si dhe shuarjen e drejtave sendore.
Gjithashtu u potencua se neni 1. i Protokollit nr. 1. i Konventës mbron çdo të drejtë së cilës GJEDNJ i njeh natyrën pasurore në kuptim të vetë Konventës. Kjo është arsyeja pse thuhet se termi "pronësi" në kuptimin e konventës është autonom, që GJEDNJ me vendimet e saja interpreton se çka krejt konsiderohet pasuri, dhe që në kuptimin e nenit 1. Protokolli nr. 1. të Konventës pronën e mbron nga format e ndryshme të ndërhyrjes në këtë të drejtë, qoftë nëse ka të bëjë me ndërhyrjen që ka për pasojë veprime të autoritetit ekzekutiv ose administrativ të një shteti anëtar, qoftë ajo ndërhyrje që rrjedhë nga vetë ligjet pavarësisht nëse kjo është rezultat i ligjeve ose vendimeve gjyqësore, pavarësisht nga ajo se a bëhet fjalë për kontest juridiko-publik ose juridiko-privat.
Gjatë këtij trajnimi pjesëmarrësit patën rastin që përmes analizës së rasteve gjyqësore të GJEDNJ dhe rasteve tjera hipotetike të zbërthejnë legjislacionin që rregullon këtë materie.
Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve në Republikën e Kosovës.
18-03-2019