Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

23-04-2019

Raporti i vizitës së gjyqtarëve të sapo emëruar (Gjenerata VII) në “Doganën e Kosovës”

Më 23 prill 2019, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit të Trajnimeve Fillestare, organizoi për gjyqtarët e sapo emëruar (gjenerata VII) vizitë në “Doganën e Kosovës”.

Qëllimi i kësaj vizite ishte që gjyqtarët të njoftohen për së afërmi me infrastrukturën ligjore,  punën, veprimtarinë dhe problemet me të cilat ballafaqohet ky institucion.

Në kuadër të kësaj vizite, shkurtimisht u elaborua historiku dhe procesi i zhvillimit të Doganës, roli dhe misioni i saj, legjislacioni mbi të cilin ushtron kompetencat e saj, struktura organizative si dhe bashkëpunimi me institucionet tjera të zbatimit të ligjit.

Me tej, u diskutuan çështjet praktike në sistemin e të drejtës penale në fushën e doganave, krahasimin e neneve përkatëse të Kodit Penal dhe Kodit Doganor që rregullojnë këtë materie, ku u paraqiten sfidat aktuale që has Dogana e Kosovës në këtë fushë. Në këtë kuadër, po ashtu u diskutua rreth mënyrave adekuate të bashkëpunimit dhe avancimit të tij, me qëllim luftimin e suksesshëm dhe ndëshkimin e dukurive negative të kësaj natyre.

Si përfundim u paraqitën edhe problemet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Dogana e Kosovës, në veçanti problemet me luftimin e kontrabandës, futja e narkotikëve, zbatimi dhe funksionalizimi i marrëveshjes së stabilizim asocimit dhe marrëveshjes së CEFTA-së, parashikimi se si do të funksionoj sistemi doganor në të ardhmen pas futjes së Kosovës në Bashkimin Evropian dhe heqjes së barrierave doganore, ku siç dihet rreth 70% e buxhetit të vendit mbushet nga të hyrat doganore.

I tërë trajnimi u realizua në mënyrë interaktive mes pjesëmarrësve dhe trajnuesve.

Përfitues të trajnimit ishin Gjyqtarët e sapo emëruar (gjenerata VII) 2019-2020.

Shpërndaje :