Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

02-09-2010

DEKLARATË PËR SHTYP

FILLIMI I PROGRAMIT FILLESTAR PËR ARSIMIM LIGJOR PËR GJENERATËN E TRETË TË KANDIDATËVE PËR GJYQTARË DHE PROKURORË

Instituti Gjyqësor i Kosovës (IGJK) më 01 shtator 2010, organizoi një ceremoni me rastin e fillimit të Programit Fillestar për Arsimim Ligjor për gjeneratën e tretë të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë.

I themeluar nga OSBE-ja në vitin 2000 si sektor për trajnime gjyqësore, ndërsa si institucion i pavarur profesional dhe kryesor për aftësimin e bartësve dhe bartësve potencial të funksionit në gjyqësi i themeluar me ligj nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2006, Instituti Gjyqësor i Kosovës ka organizuar një numër të madh aktivitetesh lidhur me ngritjen profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe në përgatitjen e gjeneratave të reja për funksionin e gjyqtarit dhe prokurorit. 

Në kuadër të Programit të Vazhdueshëm për Arsimim Ligjor nga janari 2000 deri në shtator 2010, IGJK ka mbajtur rreth 700 sesione trajnuese në të cilat kanë marrë pjesë rreth 15,000pjesëmarrës (gjyqtarë, prokurorë, avokatë, policë, zyrtarë doganor dhe profesionist tjerë nga lëmi i drejtësisë), ndërsa në vitin 2010 ka filluar me zbatimin e Programit për Avancim, program ky, obligativ për gjyqtarët dhe prokurorët që avancohen në detyrë, si dhe shumë aktivitet tjera në fushën e hulumtimeve dhe publikimeve.

Më 03 shtator 2010, Instituti Gjyqësor i Kosovës do të filloj trajnimin e gjeneratës së tretë të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë në Kosovë. 30 kandidatë të gjeneratës së parë të diplomuar në dhjetor 2009 i janë nënshtruar procesit të emërimit dhe disa prej tyre tashmë janë emëruar e të tjerë presin emërimin, si dhe 23 kandidatë të gjeneratës së dytë që tanimë janë duke ndjekur trajnimet në fazën e tretë i janë nënshtruar dhe vazhdojnë t’i nënshtrohen këtij procesi.

z. Lavdim Krasniqi , Drejtor i Institutit Gjyqësor të Kosovës deklaroj “Për të arritur në një ditë të shënuar si sot, për Institutin Gjyqësor të Kosovës ishte një rrugë e gjatë, e vështirë dhe me plot sfida”.

Në fjalën e tij z. Fejzullah Hasani kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës dhe kryetar i Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës tha “Përmes këtij programi trajnues shënohet fillimi i një mënyre të re të rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët paraprakisht do të përgatiten nga Instituti Gjyqësor dhe pas emërimit do të jenë mbështetje e sistemit gjyqësor të Kosovës me gjyqtarë dhe prokurorë të ri”.

Në këtë ceremoni foli edhe z. Enver Peci, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i cili theksoi se ” Ky program ka mbështetur dhe do të vazhdoj të mbështesë akoma procesin e emërimit dhe riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që aktualisht është duke u zhvilluar dhe do të doja të inkurajoj Institutin Gjyqësor të Kosovës të vazhdoj angazhimin e tij në ofrimin e arsimimit ligjor për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët si dhe kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë të ardhshëm” dhe u zotua për bashkëpunim dhe mbështetje institucionale të IGJK-së.

z. Krasniqi vazhdoj “që nga themelimi i Institutit Gjyqësor të Kosovës nga OSBE-ja në vitin 2000, e deri në “rithemelimin” e tij nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2006 si institucion i pavarur profesional, objektiv kryesor i IGJK-së ka qenë ofrimi i arsimimit ligjor për gjyqtarët dhe prokurorët, por vëmendje e veçantë i është kushtuar përgatitjes së infrastrukturës dhe mekanizmave për fillimin e trajnimeve në Programin Fillestar për Arsimim Ligjor për përgatitjen e kandidatëve të ardhshëm për gjyqtarë dhe prokurorë”.

Për të shënuar simbolikisht fillimin e këtij programi, Presidenti i Republikës së Kosovës ia dorëzoj z. Visar Vehapi, kandidatit i cili kishte arritur rezultatin më të lartë gjatë Provimit Përgatitor, modulet trajnuese që do të përdorën gjatë Programit Fillestar për Arsimim Ligjor, për vitin 2010/2011.

Në këtë ceremoni morën pjesë edhe Ministri i Drejtësisë, Drejtori i UNDP-së për Kosovë, Drejtor i USAID-it për Kosovë, Shefi i Zyrës së Komisionit Evropian në Prishtinë,  përfaqësues të EULEX-it, Drejtoresha e Akademisë Trajnuese të Maqedonisë si dhe përfaqësues tjerë të lartë të institucioneve ndërkombëtare dhe vendore.

Sesioni i parë trajnues për gjeneratën e tretë të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë do të filloj më 03 shtator 2010 dhe vazhdon për 15 muaj. Pas përfundimit të suksesshëm të trajnimit, kandidatët do të rekomandohen nga autoritetet përkatëse për emërim në postin e gjyqtarit apo prokurorit tek Presidenti i Republikës së Kosovës.

Shpërndaje :