Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

16-09-2009

Fillimi i programit fillestar për arsimim ligjor për gjeneratën e dytë të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë

 

Me datën 16 shtator 2009 Instituti Gjyqësor i Kosovës organizoi ceremoninë solemne e cila shënoj fillimin e Programit Fillestar për Arsimim Ligjor për gjeneratën e dytë të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë të ardhshëm të Kosovës.

Kjo ceremoni u nderua edhe nga, Presidenti i Republikës së Kosovës z. Fatmir Sejdiu si dhe personalitete të tjera shtetërore të Republikës së Kosovës, udhëheqës të institucioneve gjyqësore, përfaqësues të mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë që mbështesin sistemin gjyqësor dhe përfaqësues nga institucionet regjionale të trajnimit gjyqësor.

Në hapje të ceremonisë, drejtori i Institutit Gjyqësor të Kosovës, theksoj “sot po shënojmë vazhdimësinë e një kapitulli të ri në zhvillimet e Institutit Gjyqësor dhe sistemin gjyqësor të Kosovës. Për të arritur në këtë ditë për Institutin Gjyqësor të Kosovës ishte një rrugë e gjatë e vështirë dhe me plot sfida. Nga 325 aplikant sa iu nënshtruan Provimit Përgatitor/Hyrës, për këtë vit, vetëm 34 kandidatët me rezultatin më të lartë do të ndjekin trajnimet në Programin për Përgatitjen Profesionale të gjeneratave të ardhshme për gjyqtarë dhe prokurorë. Në bazë të ligjit, mënyra e vetme për t’u bërë gjyqtarë apo prokurorë është ndjekja e trajnimeve obligative të organizuara nga Instituti Gjyqësor i Kosovës”.

Prof. Dr.Vesel Latifi, kryetar i Këshillit Drejtues të IGJK-së, në këtë ceremoni theksoj “përmes këtij programi trajnues Instituti Gjyqësor i Kosovës do ta ndihmojë Sistemin Gjyqësor të Kosovës me gjyqtarë dhe prokurorë të rinj. Ky program shënon fillimin e një mënyre të re të rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët paraprakisht do të përgatiten nga Instituti Gjyqësor e pastaj do të vazhdojnë procesin e emërimit përfundimtar në këto pozita. Edhe pse Instituti Gjyqësor i Kosovës është i pavarur, i themeluar me Ligj nga Kuvendi i Kosovës, aktivitetet e tij trajnuese i kryen në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Ministrinë e Drejtësisë tha Prof. Dr. Vesel Latifi duke e falënderuar OSBE-në Misionin në Kosovë i cili edhe e ka themeluar Institutin si dhe të gjithë donatorët prezent, Drejtorin e UNDP-së, Drejtorin e USAID-it për Kosovë etj. 

Ceremoninë e madhështoi pjesëmarrja e Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Fatmir Sejdiu, i cili në fjalimin e tij ndër të tjera veçoj “Ne kemi kapërcyer periudhën e testimit të parë sidomos në aspektin e përpjekjeve për të përgatitur një bazë të mirë për reforma në gjyqësor dhe kemi hyrë në fazën më kritike, më të rëndësishme dhe më të ndjeshme për Kosovën dhe duhet t’ia dalim”. Për punën e Institutit Gjyqësor të Kosovës, Presidenti shtroi nevojën që “ky nivel i Institutit duhet të rritet edhe me kapacitete dhe trajnime si dhe të shndërrohet në një Akademi, në diçka që do të jetë permanente siç e kanë edhe vendet e tjera.

Znj. Lirije Osmani, kryesuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës theksoi se “rasti i sotëm dëshmon edhe njëherë bashkëpunimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Institutit Gjyqësor të Kosovës në përgatitjen e gjeneratave të ardhshme për gjyqtarë dhe prokurorë si një detyrë permanente e rëndësisë së veçantë për funksionimin e shtetit të së drejtës”.

Zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë z. Arsim Janova theksoi “Për ndërtimin e Kosovës - shtet demokratik me perspektivë të qartë evropiane jemi duke krijuar një shoqëri demokratike në të cilën mbisundon rendi dhe ligji. “Përgëzoi Institutin Gjyqësor të Kosovës për punën profesionale që po e bënë në procesin e trajnimeve në fushën e drejtësisë, jam i bindur që edhe këtë program të arsimimit ligjor do të përfundoj me sukses të plotë, kurse kandidatëve ju uroj sukses” tha në përfundim të fjalës së tij.

Edhe pjesëmarrësit tjerë në këtë ceremoni si, përfaqësues të UNDP-së, USAID-it, OSBE-së - Misioni në Kosovë, vlerësuan se ky program shënon fillimin e një mënyre të re të rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët paraprakisht do të përgatiten në Institutin Gjyqësor të Kosovës. Përfaqësuesit e përmendur premtuan se në këto përpjekje IGJK-ja nuk do të jetë vetëm, por do të ketë përkrahjen dhe mbështetjen e plotë.

Në fund të kësaj ceremonie, Presidenti i Republikës së Kosovës, në mënyrë simbolike dorëzoi kopjet e disa moduleve trajnuese kandidatit që kishte arritur më së shumti pikë gjatë Provimit Përgatitor.

Sesioni i parë trajnues për kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë të rinj do të filloj me 18 shtator të këtij viti dhe vazhdon 15 muaj me radhë.

 

Shpërndaje :