Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

22-11-2019

Seminari për Ligjin për Komunitetin e Energjisë

Më 21 dhe 22 nëntor 2019 në Shkup të Maqedonisë Veriore, me ftesë të Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorët Publikë të Maqedonisë Veriore dhe në mbështetje të Sekretariatit të  Komunitetit Evropian të Energjisë u mbajt takimi dhe seminari i parë për Ligjin e Komunitetit të Energjisë.

Qëllimi i këtij seminari ishte ngritja e vetëdijes dhe njohjes së  legjislacionit të Bashkimit Evropian në fushën e energjisë, mjedisit dhe më gjerë si dhe, integrimi i këtij legjislacioni në kurrikulën trajnuese për gjyqtarët veçanërisht për gjyqtarët e fushës civile dhe administrative.

Me rastin e këtij seminari u diskutua për rëndësinë dhe zhvillimet në skenën evropiane dhe përpjekjet e shteteve që janë në proceset euro integruese në harmonizimin e plotë të legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE-së  dhe në këtë drejtim edhe në fushën e energjisë. Gjithashtu vëmendje të veçantë iu kushtua përfshirjes së trajnimeve për gjyqtarët mbi ligjin e Komunitetit të Energjisë, Mjedisit dhe Konkurrencës që janë të rëndësishme për zhvillimin e shpejtë të vendeve aspiruese.

Në seminar morën pjesë përfaqësues të Akademive Gjyqësore nga Serbia, Mali i Zi, Gjeorgjia, Moldavia, Kosova dhe Shqipëria, si dhe Presidenti i Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Komisionit Rregullator të Energjisë, Presidenti i Komisionit të Konkurrencës, gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarë nga Gjykata Administrative të Shkupit, gjyqtarët e Gjykatës Civile të Shkupit, avokatët, profesorët e shkollave juridike të Maqedonisë Veriore, si dhe përfaqësuesit e institucioneve të tjera përkatëse.

Shpërndaje :