Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

30-01-2020

Shqyrtimi paraprak i padisë dhe seanca përgatitore

Më 30 janar 2020, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme (PTV) organizoi trajnimin me temë: “Shqyrtimi paraprak i padisë dhe seanca përgatitore”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me shqyrtimi paraprak të padisë si fazë e veçantë e procedurës kontestimore.

Në pjesën e parë të trajnimit u diskutua rreth çështjeve që lidhen me prezumimet procedurale, klasifikimin, prezumimet procedurale lidhur me gjykatën, palët, me objektin e kontestit dhe prezumimet procedurale lidhur me padinë. Në vazhdim janë trajtuar vendimet e gjykatës për ndalimin e pengesave procedurale, hedhja poshtë e padisë si e palejuar, ekzistimi i kompetencës territoriale dhe i asaj lëndore si prezumim procedural dhe shtyrja e vendosjes për disa çështje si dhe përgjigjja në padi.

Shqyrtimi paraprak i padisë është nën fazë e detyrueshme e përgatitjes së shqyrtimit kryesor të çështjes juridike. Kjo fazë fillon që nga momenti i ngritjes së padisë dhe zgjatë deri në fillimin e seancës për shqyrtim kryesor. Në vazhdim u fol për kompetencën e përgjithshme territoriale, Kompetenca e veçantë territoriale, Kompetenca territoriale ekskluzive, Kompetenca territoriale e zgjedhur.

Në vazhdim është diskutuar caktimi dhe mbajtja e seancës përgatitore, ku gjykata e cakton këtë seancë, pasi që të arrijë përgjigja në padi e të paditurit, e nëse i padituri nuk ka paraqitur përgjigje në padi, e nuk janë plotësuar kushtet për dhënien e aktgjykimit për shkak të mosbindjes, gjykata duhet që ta thirre seancën përgatitore pas skadimit të afatit ligjor për paraqitjen e përgjigjes me shkrim në padi. Po ashtu u tha se gjykatat duhet të jenë të kujdesshme kur vendosin që padinë ta kthejnë në plotësim sepse duhet te kërkojnë nga paditësi paraqitjen e fakteve.

Përfitues të këtij aktiviteti ishin gjyqtarët e gjykatave themelore të divizioneve civile dhe bashkëpunëtorët profesional.

Shpërndaje :