Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

16-04-2020

Bashkëpunimi juridik ndërkombëtar-në lëmin civile

Më 15-16 prill 2020, Akademia e Drejtësisë organizoj trajnimin me temë: “Bashkëpunimi juridik ndërkombëtar në lëmin civile” në kuadër të PTV-së. Në pamundësi të realizimit të trajnimit klasik, ky trajnim u mbajt virtualisht përmes platformës elektronike Zoom Pro. Trajnimi u zhvillua direkt/live për dy ditë, dita I me 15.04.2020 nga ora 13:00-15:30 dhe dita II me 16.04.2020 nga ora 13:00-15:30. Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me tematikën e bashkëpunimi juridik ndërkombëtar në lëmin civile.

Në dy ditët trajnimit u trajtuan temat në vijim: Korniza ligjore vendore për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në çështjet civile, Rregulloret e BE-së për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në çështjet civile, Rregulloret Bruksel I, Bruksel II, Rome I. dhe Rregulloret Nr. 805/2004, 1393/2007, 650/2012, 4/2009 si dhe Konventat e Hagës për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në çështjet civile.

Në trajnim u potencua se kur flitet për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në lëminë civile, kryesisht mendohet për çështjet që kanë të bëjnë me njohjen dhe përmbarimin e vendimeve të huaja gjyqësore apo vendimeve ekuivalente me këto. Kjo tematik ndër të tjera ngërthen  procedurën për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në lëmin civile për kërkesat që burojnë nga Republika e Kosovës, apo nga shtetet e huaja për Kosovën, rolin e gjykatës dhe Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (DBNJ) në këtë procedurë, juridiksioni në bazë të Ligjit të Procedurës Kontestimore dhe kompetencën sipas ligjit mbi arbitrazhin, konventat ndërkombëtare që rregullojnë çështjen e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet civile, siç janë: Konventa e Luganos, Konventa e Hagës, si dhe disa prej konventave më të rëndësishme që rregullojnë çështjen e cekur më lartë.

Gjithashtu në trajnim u shtjelluan edhe aktet më të rëndësishme të miratuara nga Bashkimi Evropian, siç janë Traktati i Amsterdamit, Rregullorja Brukseli I, Urdhëresa Evropiane për Pagesë, Rregullorja mbi dorëzimin e dokumenteve nr.1393/2007, Rregullorja për bashkëpunimin ndërmjet gjykatave të shteteve anëtare për marrjen e provave në çështje civile dhe tregtare etj. Në fund u diskutua edhe rreth njohjes dhe përmbarimit të dokumenteve të huaja përmbarimore, si dhe procedurën e njohjes së vendimit të huaj sipas Ligjit për Zgjidhjen e Konflikteve të Ligjeve.

Gjatë këtij trajnimi u përdoren metoda të kombinuara të shpjegimit, duke përfshirë shpjegime teorike dhe praktike, të përcjella me shembuj praktik, ku secili nga pjesëmarrësit pati mundësin të jetë aktiv gjatë gjithë kohës së trajnimit. Gjithashtu u përdorën dhe u shtruan skenarë të rasteve që përfshinë disa çështje praktike të bashkëpunimit ndërkombëtar që gjyqtarët po i hasin në punën e tyre të përditshme.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e gjykatave themelore, bashkëpunëtorët profesional dhe zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë – Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar.

 

 

Shpërndaje :