Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

16-06-2020

Procedura gjyqësore në rastet e shpronësimit

Më 15-16 qershor 2020, Akademia e Drejtësisë në përkrahjen e GIZ-it  organizoj trajnimin me temë: “Procedura gjyqësore në rastet e shpronësimit” në kuadër të PTV-së. Trajnimi u zhvillua direkt/live për dy ditë, përmes platformës Zoom. Dita I me 15.06.2020 nga ora 13:00-15:30 dhe dita II me 16.06.2020 nga ora 13:00-15:30.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve nè zbatimin e drejtë të procedurës gjyqësore në rastet e shpronësimit.

Në dy ditët trajnimit u trajtuan temat në vijim: Kushtet ligjore për shpronësim; Procedura e shpronësimit në rastet kur organ shpronësues është Qeveria apo Komuna; Vendimi preliminar dhe përfundimtar për shpronësim, mjetet juridike dhe Mënyra dhe kriteret për caktimin e kompensimit në rastet e shpronësimit.

Në trajnim u trajtua shpronësimi i pronës së paluajtshme i cili në mënyrë specifike është i rregulluar me Ligjin nr. 03/L-139 për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme i shpallur më 23.04. 2009, i cili Ligj ka ç’ fuqizuar Ligjin për Eksproprijimin e vitit 1979 (GZ e KSAK 21/78). Me këtë Ligj janë përcaktuar rregullat dhe kushtet në bazë të të cilave Qeveria ose komunat mundë të bëjnë shpronësimin e të drejtave pronësore ose të drejtave tjera në pronën e paluajtshme të një personi, respektivisht mundë të bëhet kufizimi i disa të drejtave dhe shfrytëzimi i përkohshëm i  pronës së paluajtshme.

Në vazhdim u theksua se me këtë Ligj përcaktohen kushtet dhe rregullat sipas të cilave rregullohet procedura për shpronësimin e pronës së paluajtshme, kufizimit të pronësisë, procedura e caktimit të lartësisë së kompensimit për patundshmërinë e shpronësuar para organit shpronësues dhe ankesat mbi shumën e kompensimit para Gjykatës. U shpjegua edhe situata e caktimit të kompensimit për paligjshmërinë e eksproprijuar, kur pronari i mëparshëm apo zotëruesit e interesit në pronë, është i pa kënaqur me shumën e kompensimit të caktuar në vendim përfundimtar.

Gjithashtu u potencua se instituti juridik i shpronësimit lejon mundësinë që pronari të mund të zhvishet nga e drejta e pronësisë vetëm nën kushtet e parapara me ligj me kusht që shpronësimi të bëhet për qëllim të interesit të përgjithshëm.

Në trajnim u zbërthyen edhe raste nga praktika gjyqësore nga GJEDNJ në Strasburg në tematikën e shpronësimit. Pastaj u elaboruan përvojat dhe praktikat e mira të shteteve në rajon në rastet e shpronësimit dhe në praktikën gjyqësore vendore duke zbërthyer dhe analizuar procedurën e shpronësimit, dhe duke identifikuar kushtet paraprake dhe kriteret të cilat zbatohen për shpronësim.

Gjatë këtij trajnimi u përdoren metoda të kombinuara të shpjegimit, duke përfshirë shpjegime teorike dhe praktike, të përcjella me shembuj nga praktika gjyqësore dhe diskutime për mënyrën e vendosjes meritore për rastet konkrete.

Përfitues në këtë trajnim ishin: Gjyqtarë nga Gjykata Supreme, Gjykata e Apelit  si dhe Gjyqtarë nga niveli themelor.

Shpërndaje :